Dakota Johnson ka zgjedhur të flasë pa filtra për një nga temat që ka shoqëruar prej vitesh imazhin e saj publik: seksualitetin. Aktorja rrëfeu se mënyra se si e percepton trupin, intimitetin dhe marrëdhëniet është ndikuar ndjeshëm nga edukimi që mori nga nëna e saj, aktorja Melanie Griffith.
“Jam një person seksual. Nëna ime më rriti duke më mësuar të jem krenare për trupin tim dhe ta dua atë”, u shpreh Johnson.
Sipas saj, Griffith ka qenë gjithmonë e drejtpërdrejtë në bisedat për trupin dhe seksualitetin, duke e ndihmuar të ndërtonte një raport më të sigurt me veten. Kjo qasje, siç tregon aktorja, ka luajtur rol edhe në mënyrën se si ajo është përballur me skenat intime gjatë karrierës.
E njohur në të gjithë botën pas rolit të Anastasia Steele në sagën “Fifty Shades of Grey”, Johnson thekson se seksualiteti nuk është diçka që duhet të shoqërohet domosdoshmërisht me turp. Për të, intimiteti në një film mund të jetë pjesë e rëndësishme e rrëfimit, nëse trajtohet me kujdes dhe i shërben historisë.
Aktorja ka folur edhe për realitetin pas kamerave. Ajo kujtoi se në disa raste është dashur të interpretojë skena intime pa pasur një partner tjetër në kuadër, duke përdorur vetëm lëvizjet dhe interpretimin për të krijuar iluzionin e momentit.
Me kalimin e viteve, mënyra e xhirimit të këtyre skenave ka ndryshuar edhe për të. Johnson ka bashkëpunuar me koordinatore intimiteti, të cilat e kanë ndihmuar ekipin të përcaktojë qartë mënyrën se si realizohen skenat dhe të krijohet një ambient më i sigurt gjatë xhirimeve.
Në planin personal, Johnson u shpreh se nuk beson te një formulë universale për dashurinë. Aktorja ka qenë më herët në një marrëdhënie shumëvjeçare me Chris Martin, ndërsa jeta e saj sentimentale është lidhur gjithashtu me Machine Gun Kelly.
Për Johnson, mënyra se si zgjedh të jetojë dhe të dashurojë është personale dhe nuk duhet të përcaktohet nga pritshmëritë e shoqërisë.
Përtej seksualitetit dhe marrëdhënieve, aktorja u rikthye edhe te fëmijëria e saj në një prej familjeve më të njohura të Hollywood-it. Ajo është vajza e Melanie Griffith dhe Don Johnson, ndërsa gjyshja e saj është aktorja e njohur Tippi Hedren.
Dakota u shfaq për herë të parë në ekran kur ishte vetëm nëntë vjeç, në filmin “Crazy in Alabama”, ku luajti përkrah nënës së saj. Megjithatë, rritja në një familje kaq të ekspozuar nuk ishte gjithmonë e thjeshtë. Johnson ka folur më parë për vështirësitë familjare dhe problemet me varësinë që kanë prekur prindërit e saj.
Fama globale erdhi me “Fifty Shades of Grey” në vitin 2015, një projekt që e vendosi në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Sot, ajo e sheh atë periudhë si një eksperiencë intensive, por nuk shpreh pendesë për vendimin që mori.
Ndërkohë, Johnson vijon me projektet e reja kinematografike. Ajo shfaqet në “Verity”, adaptimin e romanit të Colleen Hoover, ku interpreton së bashku me Anne Hathaway dhe Josh Hartnett.
Pavarësisht suksesit dhe ekspozimit të madh, aktorja pranon se edhe sot përballet me ankthin, veçanërisht në evente të mëdha publike. Meditimi dhe ushtrimet e frymëmarrjes janë disa prej mënyrave që ajo përdor për të menaxhuar tensionin dhe për të gjetur qetësinë./mxh
