Donald Trump Jr. dhe partnerja e tij Bettina Anderson i kanë dhënë fund beqarisë me një ceremoni tepër private të organizuar në Bahamas, në një prej ishujve më ekskluzivë të Karaibeve.
Çifti zgjodhi Little Pipe Cay në zonën e Exuma-s për të celebruar martesën, një destinacion i njohur për luksin ekstrem, privatësinë maksimale dhe frekuentimin nga miliarderë e personazhe VIP. Dasma u mbajt larg vëmendjes së mediave dhe me masa të rrepta sigurie.
Ceremonia ishte intime, me një numër të kufizuar të ftuarish, ndërsa atmosfera tropikale dhe detajet elegante dominuan festën që zgjati disa ditë. Sipas mediave amerikane, të ftuarit morën pjesë në aktivitete private në det, shëtitje me jahte dhe darka luksoze në ishull.
Edhe pse Bettina Anderson është shumë aktive në rrjetet sociale, ajo ka ndarë vetëm pak pamje nga ceremonia. Në një prej postimeve, çifti shfaqte unazat e martesës me mbishkrimet romantike “Forever yours” dhe “Forever mine”, ndërsa në një tjetër u vu re një aksesor me frazën “Mrs. Trump”.
Në dasmë morën pjesë disa anëtarë të familjes Trump, mes tyre Ivanka Trump, Eric Trump dhe Tiffany Trump. Megjithatë, Donald Trump mungoi në ceremoninë e djalit të tij, duke deklaruar se kishte mbetur në Uashington për shkak të angazhimeve presidenciale. Ai i uroi publikisht çiftit një jetë të lumtur së bashku.
Little Pipe Cay konsiderohet një nga ishujt privatë më të shtrenjtë dhe më të kërkuar në Karaibe, me vila super luksoze, plazhe të izoluara dhe shërbime ekskluzive që kushtojnë dhjetëra mijëra dollarë për natë./mxh
