Në Londër janë shtuar diskutimet politike rreth të ardhmes së kryeministrit britanik Keir Starmer, mes spekulimeve për një sfidë të mundshme brenda Partisë Laburiste.
Ndërkohë që në media po përflitet për lëvizje të mundshme nga ministri i Shëndetësisë Wes Streeting, qytetarët britanikë janë të ndarë në mendime për atë se kush duhet të udhëheqë vendin nëse ndodh një ndryshim në krye të qeverisë.
Disa të intervistuar shprehen në favor të stabilitetit dhe vazhdimit të qeverisjes së Starmer, duke theksuar nevojën për vazhdimësi në një periudhë të vështirë ekonomike dhe politike.
Të tjerë përmendin emra të ndryshëm si ish-zëvendëskryeministren Angela Rayner dhe kryebashkiakun e Manchesterit Andy Burnham, si alternativa të mundshme për drejtimin e Partisë Laburiste.
Ka edhe qytetarë që shprehin zhgënjim të përgjithshëm ndaj klasës politike, duke thënë se nuk shohin një figurë të qartë që t’i përfaqësojë.
Debati vjen në një moment tensioni brenda Laburistëve, ndërsa vazhdojnë spekulimet për një garë të mundshme lidershipi që mund të ndryshojë drejtimin politik të Britanisë./mxh
