Last Updated on 08/01/2026 by Monika
Bashkimi Evropian ka diskutuar se cili do të ishte reagimi evropian nëse kërcënimet e Shteteve të Bashkuara për marrjen nën kontroll të Groenlandës rezultojnë reale. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, deklaroi se mesazhet që vijnë lidhur me Groenlandën janë jashtëzakonisht shqetësuese dhe nuk ndihmojnë stabilitetin global.
Duke folur në një konferencë për shtyp së bashku me ministrin e Jashtëm egjiptian, Badr Abdelatty, Kallas theksoi se Danimarka ka qenë një aleate e besueshme e Shteteve të Bashkuara dhe se deklaratat për Groenlandën rrezikojnë të tensionojnë më tej marrëdhëniet ndërkombëtare.
Ndërkohë, zyrtarja e lartë evropiane u ndal edhe te situata në Rripin e Gazës, duke e cilësuar atë si jashtëzakonisht të rëndë. Sipas saj, procesi i paqes mbetet i bllokuar, pasi Hamasi refuzon të çarmatoset, ndërsa Izraeli po vendos kufizime ndaj organizatave ndërkombëtare humanitare, duke rrezikuar shpërndarjen e ndihmës për civilët.
Kallas theksoi se pa veprimin e organizatave humanitare, ndihma nuk mund të arrijë në shkallën e nevojshme dhe se nuk ka asnjë justifikim që gjendja humanitare në Gaza të jetë përkeqësuar në nivelin aktual./mxh
