Last Updated on 12/11/2025 by EL
Ish-kryetarja e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Alesia Balliu, e ftuar në një emision televiziv, deklaroi se ish-kryeministri Sali Berisha po përdor strategji për të shmangur përgjegjësinë për humbjen e zgjedhjeve dhe po e çon Partinë Demokratike drejt shkatërrimit.
Sipas saj, nuk ka patriotizëm më qesharak se sa të përdorësh ngjyrën e flamurit të partisë për të mbrojtur veten nga halli personal. Balliu theksoi se Berisha nuk po arrin të bindë as mbështetësit e tij. Ajo shtoi se Berisha e ka kthyer pushtetin “në një muze familjar” dhe se “nuk ka kartë morale ndaj Ramës, pasi edhe vetë është akuzuar për korrupsion”. Sipas saj, çdo protestë e drejtuar nga Berisha i shërben më shumë forcimit të pushtetit të kryeministrit Rama.
Ajo e quajti mungesën e votuesve në zgjedhje një shuplakë për Sali Berishën dhe shtoi se demokratët e vërtetë u lanë në rrugë. Balliu nënvizoi se Partia Demokratike duhet t’i shërbejë popullit dhe jo interesave personale e familjare.
“Kjo është strategji e Berishës për të shmangur përgjegjësinë për humbjen e zgjedhjeve. Unë e kam thënë dhe rithënë, Sali Berisha po mjaftohet duke e shkatërruar Partinë Demokratike dhe duke e çuar atë drejt fundit. Kjo ndodhi që kur u shpall ‘non grata’, ku premtoi se do të ringrinte Partinë Demokratike. Por nuk ka patriotizëm më qesharak se sa të përdorësh ngjyrën e flamurit të partisë tënde për të mbrojtur veten nga halli jot personal. Të jesh i fortë sot në politikë, nuk do të thotë që të mbrosh veten, por të bërtasësh, të bindësh.
Sot, Sali Berisha nuk po bind dot të vetët, është si ai prindi nuk lejon që fëmijë i tij të rritet. Sali Berisha është shembulli i një tranzicioni që nuk ka fund. Është shembulli i një personi, që demokracia nuk e pranon që një lidership të mos pranojë rotacionin brenda partisë së tij. Ai e ka kthyer sot të gjithë këtë pushtet në një muze familjar. Berisha nuk ka kartë morale ndaj Ramës, pasi ai është akuzuar për korrupsion. Atij nuk i shërben më asnjë protestë nga Sali Berisha, sepse çdo protestë është një arsye pse ai bëhet më stabël në pushtetin e tij.
PD ka nevojë për ndryshim, për një klasë të re politike, t’i japë fund tranzicionit në të cilin e ka futur Berisha, duke i dhënë shpresë rinisë, por duke hequr stalinizimi, i cili është instaluar thellë te lidershipi dhe 40 rrogëtarëve të Berishës, 40 deputetë që nuk janë të emëruar nga populli. PD sot nuk u shërben më demokratëve, por klanit personal të PD. Mungesa e votuesve në zgjedhje sinjal dhe shuplakë për Sali Berishën. PD sot ka humbur besimin te demokratët e vërtetë. Demokratët e vërtetë u lanë në rrugë. PD duhet t’i shërbej popullit dhe jo interesave personale dhe familjare”, tha Balliu./e.t
