Last Updated on 10/10/2025 by adminfjala
Gratë janë më të predispozuara gjenetikisht për të shfaqur çrregullime depresive, në krahasim me burrat, sipas një studimi të studiuesve australianë të botuar në revistën Natura Communications.
Në këtë studim shkencëtaret analizuar AND-snë e rreth 200 mijë personave që vuanin nga depresioni, për të identifikuar tregues të përbashkët të depresionit.
Rezultatet e studimit treguan se gratë kishin pothuajse dy herë më shumë tregues gjenetikë të lidhur me depresionin sesa burrat, sipas studimit, i cili u drejtua nga Instituti Berghofer për Kërkime Mjekësore në Australi.
“Identifikimi i faktorëve gjenetikë të zakonshëm dhe specifikë tek burrat dhe gratë na lejon të kuptojmë më mirë shkaqet e depresionit dhe hap rrugën për trajtime më të personalizuara”, tha studiuesja Jodi Thomas në një deklaratë.
Studiuesit identifikuan rreth 13,000 tregues gjenetikë të lidhur me depresionin tek gratë, krahasuar me 7,000 tek burrat. Disa nga këto ndryshime gjenetike mund të ndikojnë gjithashtu në metabolizëm ose në prodhimin e hormoneve.
“Ne zbuluam disa dallime gjenetike që mund të ndihmojnë në shpjegimin pse gratë me depresion përjetojnë më shpesh simptoma metabolike, të tilla si luhatjet në peshë ose ndryshimet në nivelet e energjisë”, tha Jodi Thomas.
Çrregullimi depresiv është një nga çrregullimet mendore më të zakonshme, që prek më shumë se 300 milionë njerëz në mbarë botën, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë
“Deri më sot, nuk ka pasur shumë studime të besueshme që shpjegojnë pse depresioni prek gratë dhe burrat ndryshe, duke përfshirë rolin e mundshëm të gjenetikës”, tha studiuesja Brittany Mitchell./kb