Blerësit që dëshirojnë të blejnë një Ferrari të ri do të duhet të kenë shumë durim, pasi prodhuesi italian i veturave luksoze ka tashmë një listë të gjatë porosish dhe dorëzimet e disa modeleve të reja mund të shtyhen deri në vitin 2028.
Kërkesa për modelet e Ferrarit ka tejkaluar pritshmëritë e kompanisë. Prodhuesi nga Maranello ka raportuar se librat e porosive janë të mbushura për një periudhë të gjatë, ndërsa klientët e rinj duhet të presin disa vite për të marrë automjetin e tyre.
Interesi i madh është nxitur veçanërisht nga modelet e reja të markës, përfshirë Ferrari 12Cilindri, i cili zëvendësoi modelin 812 Superfast, si dhe nga modelet e tjera ekskluzive me prodhim të kufizuar.
Ferrari vazhdon të ruajë strategjinë e prodhimit të kufizuar për të mbajtur ekskluzivitetin e markës. Për kompaninë italiane, më pak automjete të prodhuara nënkuptojnë ruajtjen e vlerës dhe kërkesës së lartë për secilin model.
Për shumë klientë të pasur, çmimi i lartë nuk është pengesa kryesore – sfida më e madhe është pritja e gjatë. Në disa raste, blerësit duhet të presin deri në disa vite para se të marrin veturën e porositur.
Kjo situatë tregon se pavarësisht ndryshimeve në industrinë e automobilave, përfshirë kalimin drejt automobilave elektrike dhe rritjen e kostove të prodhimit, kërkesa për markat më prestigjioze të veturave sportive mbetet jashtëzakonisht e lartë. /et
