Sekretari britanik për Irlandën e Veriut, Hilary Benn, ka dënuar ashpër dhunën e regjistruar në Belfast, duke e cilësuar atë si të pajustifikueshme dhe të dëmshme për komunitetet lokale.
Duke folur pas trazirave të natës së së martës, Benn tha se “asgjë nuk mund të justifikojë dhunën e maskuarve që u përpoqën të djegin dhe të frikësojnë familje brenda shtëpive të tyre”. Sipas tij, protestuesit që pretendojnë se mbrojnë komunitetet, në fakt po i dëmtojnë ato.
Ai shtoi se nuk mund të fajësohen njerëzit që kërkojnë azil në Britani për veprimet e individëve të veçantë, duke theksuar se përgjegjësia bie vetëm mbi autorët.
Ndërkohë, shefi i Shërbimit Policor të Irlandës së Veriut (PSNI), Jon Boutcher, e cilësoi dhunën si një “akt vetëdëmtimi” ndaj komuniteteve në rajon. Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos ndikohen nga përmbajtjet në rrjetet sociale dhe të lejojnë procesin ligjor të ndjekë rrjedhën e tij.
Boutcher konfirmoi se policia do të shtojë praninë në terren, ndërsa janë kërkuar edhe rreth 200 oficerë shtesë për të menaxhuar situatën dhe për të rikthyer rendin.
Dhuna shpërtheu pas një sulmi me thikë, për të cilin një shtetas sudanez është vënë përpara drejtësisë i akuzuar për tentativë vrasjeje. Pas publikimit të videos së ngjarjes në rrjet, qindra protestues dolën në rrugë, duke djegur automjete dhe duke u përplasur me policinë në disa zona të Irlandës së Veriut.
Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se autorët e dhunës do të përballen me forcën e plotë të ligjit, ndërsa udhëheqësja e Irlandës së Veriut, Michelle O’Neill, i cilësoi sulmet si “frikacakëri të neveritshme”.
Protesta më të vogla janë raportuar edhe në Londër, Glasgow dhe Edinburgh./mxh
