Një 67-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia në Burrel, pasi dyshohet se ka dhunuar dhe kanosur bashkëshorten e tij gjatë një konflikti familjar.
Ngjarja u raportua në një banesë në qytetin e Burrelit, ku shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat shkuan menjëherë pas marrjes së njoftimit për konfliktin.
Sipas Policisë, ndërhyrja e menjëhershme bëri të mundur neutralizimin e situatës dhe parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit.
Në pranga u vu shtetasi me inicialet B. K., 67 vjeç, banues në Burrel. Nga verifikimet paraprake dyshohet se ai kishte dhunuar dhe kanosur bashkëshorten.
Gjatë kontrollit të banesës, efektivët gjetën dhe sekuestruan si prova materiale një armë zjarri automatik, dy krehra dhe 55 fishekë./kb
