Një zjarr i madh shpërtheu mëngjesin e sotëm, 17 shkurt, në zonën Chiaia të Napolit, duke prekur edhe Teatrin Sannazaro, një nga institucionet historike të qytetit.
Flakët u përhapën shpejt, duke shkatërruar pjesën më të madhe të strukturës dhe duke dëmtuar rëndë kupolën. Katër banorë u dërguan në spital për shkak të helmit nga tymi, ndërsa ajri në zonë u bë i padurueshëm që në orët e para të mëngjesit, shkruan Corriere della Sera.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë flakët që përfshijnë një apartament pranë teatrit, ndërtuar kryesisht me dru.
Alarmi u dha nga banorët e zonës dhe lajmi u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale. Shumë nga banorët e Via Chiaia, një nga rrugët më elegante të Napolit, dolën në rrugë për të parë situatën, duke denoncuar ajrin e padurueshëm. “Duhet të largohemi nga shtëpitë, këtu nuk mund të qëndrohet”, u shprehën të keqardhur disa nga banorët e zonës.
Nuk dihen akoma shkaqet e zjarrit./mxh
