Banorët e kryeqytetit ukrainas, Kyiv, thanë të dielën (1 shkurt) se po hasin vështirësi me ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike dhe ngrohjes, pavarësisht ndalimit të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike.
Një pjesë e qytetarëve ecën me kujdes nëpër rrugët e mbuluara me akull, ndërkohë që tingulli i gjeneratorëve të energjisë elektrike ishte i pranishëm kudo.
Dy ditë më parë, Kremlini njoftoi se kishte rënë dakord për të ndaluar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike deri të dielën, pas kërkesës së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe autoritetet ukrainase thanë se do të përgjigjeshin me të njëjtin veprim.
Kyiv tha se ky ndalim i sulmeve do të vazhdonte deri të premten e ardhshme.
Yurii Fomin, një veteran lufte 50-vjeçar, u shpreh se nuk kishte parë përmirësim dhe vazhdonte të përballej me probleme të vazhdueshme në furnizimin me energji dhe ngrohje, megjithatë shtoi se ishte mësuar të përballonte këto kushte.
Në kryeqytetin Kyiv, Kryetari i Bashkisë, Vitali Klitschko, njoftoi se 1,000 ndërtesa shumëkatëshe ishin ende pa ngrohje të dielën, ndërkohë që një valë e re të ftohti e ashpër kishte përfshirë shumicën e vendit. Temperatura në qytet ishte rreth -15 gradë Celsius (5 Fahrenheit), ndërsa punonjësit po punonin me shpejtësi për të rikthyer ngrohjen në qindra prej rreth 3,500 ndërtesave të larta që u preken nga një defekt i gjerë në rrjetin e energjisë të shtunën.
Përfaqësuesit e qeverisë ukrainase nuk e lidhën drejtpërdrejt këtë defekt me dëmet nga lufta, por ndërprerjet e energjisë që preken edhe shtetin fqinj Moldavi nënvizonin dobësinë e sistemit energjetik të Ukrainës pas muajsh sulmesh nga Rusia./mxh
