Last Updated on 15/05/2026 by EL
Radhëve të Policisë së Shtetit i janë shtuar nga dita e sotme edhe 104 oficerë të rinj. Në ceremoninë solemne të diplomimit të mbajtur në ambientet e Akademisë së Sigurisë, ku të pranishëm ishin Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u vu theksi te rëndësia e transformimit të vazhdueshëm të këtij institucioni dhe raporti i ri i besimit me qytetarët.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Ministri i Brendshëm e cilësoi Policinë e Shtetit si shtyllën që “mban shtetin”, duke theksuar se oficerët e rinj kanë zgjedhur një ndër profesionet më të vështira dhe më të nderuara të një shoqërie demokratike.
“Sot Shqipëria fiton 104 shërbëtorë të rinj të ligjit. Misioni juaj është të jeni dritë sigurie për qytetarët dhe garanci që ligji funksionon,” u shpreh ai para të diplomuarve dhe familjarëve të tyre.
Policia si shërbim publik, jo forcë frikësuese
Në fjalën e tij, ministri u ndal te qasja e re që duhet të ketë Policia e Shtetit në raport me publikun. Sipas tij, modernizimi i institucionit nuk kalon vetëm përmes pajisjeve të reja, por mbi të gjitha përmes mentalitetit dhe mënyrës së komunikimit me komunitetin.
“Policia e Shtetit nuk duhet parë thjesht si një forcë që garanton rendin, por si një shërbim publik në funksion të qytetarit. Autoriteti i policisë nuk matet nga frika që krijon, por nga besimi që ndërton. Qytetarët nuk kërkojnë vetëm një polici të fortë. Ata kërkojnë një polici të drejtë,” deklaroi ministri Lamallari.
Projekti “Smart City Albania” dhe inovacioni teknologjik
Një vëmendje e veçantë gjatë ceremonisë i është kushtuar investimeve në teknologji, si një mjet thelbësor për të rritur profesionalizmin dhe goditur kriminalitetin. Kreu i dikasterit të Brendshëm përmendi angazhimin e qeverisë drejt digjitalizimit të plotë, duke evidentuar projektin e ri “Smart City Albania”.
Sipas tij, instalimi i kamerave inteligjente, përdorimi i kamerave trupore për efektivët e terrenit, si dhe ngritja e sistemeve të analizës në kohë reale dhe forcimi i sigurisë kibernetike, po e kthejnë Policinë e Shtetit në një forcë shumë herë më moderne dhe të përgatitur.
Mbështetja e qeverisë dhe thirrja për integritet
Duke i garantuar oficerët e rinj për mbështetjen e pakursyer të institucioneve, ministri theksoi politikat e ndërmarra për rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës.
“Shteti ka detyrimin të jetë në krahun tuaj. Ne jemi në krahun tuaj,” nënvizoi ai, duke bërë të qartë se mirëqenia e efektivëve mbetet prioritet.
Në përfundim të ceremonisë, mesazhi final i tij shërbeu si një kod etik për të diplomuarit e Akademisë së Sigurisë në rrugëtimin e tyre profesional:
“Mbajeni uniformën me krenari, por mos lejoni kurrë që krenaria të kthehet në arrogancë. Mbani autoritet, por mos humbni njerëzoren. Jini të fortë përballë krimit, por të drejtë përballë qytetarëve. Sepse në fund të fundit, një polici e mirë nuk matet vetëm nga numri i operacioneve apo statistikave. Ajo matet nga besimi që qytetarët kanë tek ajo. I shërbefshi vendit me dinjitet, guxim dhe ndershmëri!”/et
