Sot në Ditën Botërore të Transportit të Qëndrueshëm, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, thotë se, rruga drejt një të ardhmeje më të mirë varet nga një transport më i pastër dhe më i gjelbër.
Duke njohur rolin e rëndësishëm të sistemeve të transportit të sigurt, të përballueshëm, të aksesueshëm dhe të qëndrueshëm për të gjithë, OKB vendosi ta shpallë 26 nëntorin si Ditën Botërore të Transportit të Qëndrueshëm.
Sipas të dhënave të publikuara nga OKB, globalisht, gjurma mesatare vjetore e karbonit për individ është 5,9 tonë, por që mund të zvogëlohet me një mesatare prej 2 tonë në vit nëse kalohet nga një automjet i zakonshëm, në një automjet elektrik.
Në Ditën Botërore të Transportit të Qëndrueshëm, OKB synon rritjen e njohurive të publikut mbi çështjet e transportit të qëndrueshëm, në veçanti me përmirësimin e lidhjes intermodale të transportit (përdorimit të kombinuar të mjeteve të ndryshme të transportit), promovimin e transportit miqësor ndaj mjedisit, zhvillimin e infrastrukturës së transportit gjithëpërfshirës social dhe aspekte të tjera të qëndrueshmërisë së transportit.
OKB ka paralajmëruar se më 10 dhjetor do të prezantojë Dekadën e Transportit të Qëndrueshëm e cila zyrtarisht do të nisë në 2026-ën./ K.M
