Kanë kaluar gati 30 vjet nga vdekja e Princeshë Dianës në një aksident automobilistik në Paris, por detajet e ditëve pas tragjedisë vazhdojnë të shkaktojnë debat. Këtë herë, në qendër të vëmendjes është vëllai i saj, Earl Spencer, i cili ka publikuar librin e tij të ri, Swan Song.
Funerali zyrtar i Dianës u zhvillua më 6 shtator 1997, në Westminster Abbey në Londër. Në fjalimin e tij, Spencer tha se kujtimi i motrës së tij nuk do të “shuhej kurrë”. Sipas tij, ai e kishte zgjedhur me qëllim këtë shprehje, pasi Charles i kishte thënë se Diana do të harrohej shpejt.
Me librin e ri, Spencer duket se po përpiqet të mbajë gjallë kujtimin e saj dhe të tregojë versionin e tij për atë që ndodhi.
Në një intervistë për BBC-në, Spencer tha se po flet jo vetëm si vëllai i Dianës, por edhe si dikush që ka qenë dëshmitar i ngjarjeve të rëndësishme. Ai e konsideron këtë si një detyrë që duhet ta përmbushë në këtë fazë të jetës së tij.
“Të dy prindërit e mi vdiqën në të 60-at dhe unë jam në të 60-at”, tha ai. Spencer shpjegoi se kjo e ka bërë të mendojë më shumë për jetën dhe vdekjen dhe se dëshironte t’i shkruante një herë e mirë kujtimet e tij dhe atë që ai beson se është e vërtetë.
Duke folur për Dianën, Spencer u emocionua dhe tha se “ajo i mungon çdo ditë”. Ai shtoi se humbja e një vëllai apo motre është një dhimbje me të cilën njeriu nuk mësohet kurrë plotësisht./mxh
