Last Updated on 06/07/2026 by Kesjana
Një 20-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Fierit, pasi dyshohet se shkaktoi zjarrin e përmasave të mëdha që përfshiu fshatin Drizë dhe zonat përreth.
Sipas Policisë, shtetasi me inicialet N. J., banues në fshatin Drizë, më 5 korrik 2026 kishte ndezur zjarr në tokën në pronësi të babait të tij për të djegur disa barishte, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën me shpejtësi, duke përfshirë një sipërfaqe të madhe në disa fshatra dhe duke shkaktuar dëme materiale.
Si pasojë e rrezikut nga përhapja e zjarrit, shërbimet e Policisë evakuuan 12 familje, banesat e të cilave u kërcënuan nga flakët.
Zjarri u vu nën kontroll falë ndërhyrjes së koordinuar të Policisë, shërbimeve zjarrfikëse, grupeve të Forcës Kombëtare të Sigurisë (FKS) – Njësia Fier, si dhe helikopterëve të Forcave të Armatosura. Fatmirësisht, nuk pati persona të lënduar.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan autorin e dyshuar, ndërsa hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes vijojnë.
Policia e Fierit u bën apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarrvënie, duke paralajmëruar se shkelësit do të përballen me ligjin. Gjithashtu, fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin 112, duke garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm./kb
