Doja Cat është përballur me kritika të shumta nga fansat pas natës së parë të turit të saj të ri “Ma Vie”, që nisi në Auckland të Zelandës së Re. Shumë prej tyre u ankuan për mungesë vizualesh, strukture dhe ndryshimesh të veshjeve. Reperja amerikane reagoi menjëherë, duke thënë: “Unë bëj muzikë për njerëz që pëlqejnë muzikën. Nuk jam akt i Broadway-it.”
Artistja 30-vjeçare, e cila ka pasur më parë përplasje me fansat në rrjete sociale, ua ktheu kritikëve edhe këtë herë. Kur një fans komentoi se turi i ri i ngjan atij të albumit “Scarlet”, Doja u përgjigj: “Nuk do ta dëgjoj kritikën dhe s’kam nevojë ta bëj.” Ndërsa për mungesën e ndryshimeve të veshjeve, ajo tha se fokusi i saj është “të këndojë MUZIKËN për ata që duan ta dëgjojnë.”
Megjithëse pati komente negative, disa fansa e mbrojtën, duke e quajtur performancën e saj “mahnitëse” dhe duke e cilësuar një nga performueset më të mira të momentit. Por Doja vazhdoi me ton sfidues, duke i kërkuar një fansi që “ta mbajë mendimin për vete” dhe duke theksuar se ajo punon me përkushtim çdo natë: “Ju nuk jeni artisti, jeni shikuesi.”
Këngëtarja ka një histori të tensionuar me rrjetet sociale. Në 2022 ajo kërcënoi të linte muzikën pasi u kritikua në Paraguai, ndërsa në 2023 humbi mbi 180,000 ndjekës në Instagram pasi u tha fansave të saj që “të gjenin një punë”. Së fundmi, një video virale tregoi se ajo u ndje e pakëndshme me një fans që e preku pa leje gjatë një takimi.
Sipas setlistës së koncertit në Zelandën e Re, Doja interpretoi 27 këngë, nga hitet e hershme si “Say So” te këngët e reja si “Jealous Type”. Performanca e radhës pritet të mbahet të shtunën në Perth të Australisë, ndërsa turi do të vazhdojë në Amerikën e Jugut në 2026, në Europë në maj–qershor, dhe më pas në SHBA për fazën finale./MXH
