Numri 2 i qeverisë, Belinda Balluku, sot praktikisht u shua nga politika shqiptare pas një sërë skandalesh qeveritare. Para saj, ish-zëvendës/kryeministri Arben Ahmetaj u arratis për t’u shpëtuar prangave. Kryetari i bashkisë më të madhe në vend, Erion Veliaj, njeriu që administronte një të tretën e Shqipërisë, është sot në qeli, shoqëruar nga ish-ministra e ish-kryetarë bashkish të cilët dikur silleshin me arrogancë si të përjetshëm.
Në këtë panoramë që të merr frymën, ku janë partitë e reja? Nëse do të ishin serioze, me zemër në vend dhe jo me veshët nga sondazhet, sot do të kishin dalë bashkë në një protestë, krah për krah, për të thirrur popullin: “Dilni, se ka ardhur dita të ndalojmë këtë teatër të përlyer!”
Por ç’ndodh? Në vend që e reja të ngrihet, çdo kryetar i ri i partive personale shfaqet më vete, me një Reels të shkurtër, sikur të ishin gazetarë dhe jo politikanë. Ndërkohë, një monstër e vjetër si Sali Berisha, i cili e ka kthyer PD-në në kompani familjare, na lajmëron thjesht foltoren e radhës. Dhe jo sot, jo në pikun e ngjarjes Balluku, por javën tjetër, pas pilafit, siç i ka hije një njeriu që nuk kërkon drejtësi, por kohë. Kohë për të ruajtur pasuritë që kërkon t’ua lërë trashëgim fëmijëve, se për Shqipërinë nuk ka menduar kurrë më shumë se për pallatin e radhës.
Ndoshta nuk është vetëm ai. Ndoshta këtë po bëjmë të gjithë. Mendon shqiptari i thjeshtë për një vend pune, për ndonjë biznes duke fshehur taksat apo për një vizë në Gjermani. Po partitë e reja? A do të vazhdojnë të kacafyten si zogj të lagësht? A do të sfidojnë shoku-shokun se kush di të flasë më bukur në TikTok, ndërsa vendi po shkon për lesh?
Këta që godasin gjoksin duke thënë “jemi morali i politikës”, nëse vërtet kanë moral, duhet të mendojnë për atdheun dhe jo për protagonizmin në cepat e kthinës së lagjes. Duhet të bashkohen. Të bëhen një. T’i thonë popullit: “Ne jemi këtu. Bashkë. Për të sotmen dhe të nesërmen. Nuk ka rëndësi cili flet më shumë apo qëndron më lart në podium, por jemi këtu bashkë si ofertë gjithëpërfshirëse dhe efikase”.
Morën 140 mijë vota më 11 maj. Me pak mençuri dhe pak më shumë burrëri politike, sot mund të kishin minimalisht 7 deputetë. Një zë të pastër në Parlament. U zunë, vranë njëri-tjetrin, derisa mbetën të gjithë të veçantë, por askush me rëndësi. I akuzojnë Ramën dhe Berishën si autokratë, por deri më sot ata vetë duken njësoj, sepse thjesht shijojnë “kryetarllëkun” e tyre në partitë e vogla, pa kërkuar një bashkim të madh të së resë. Zihen, sepse nuk i lidhin duart pa caktuar se cili do të jetë lideri. Këtë e kanë kusht të panegociueshëm.
Akuzojnë Saliun se ruan karrigen. Por, nga sa po shohim, të gjithë janë njësoj: të kapur pas ndonjë pozicioni që nuk ekziston ende. Si ato lojtarët e stolit, që lënë bluzën në një cep, thua se trajneri i madh (koha, fati ose ndonjë ambasadë) do t’i thërrasë.
E reja, nëse vërtet është e re, bashkohet. Ngre kokën. Tërheq elitën, mendjet e ndritura, njerëzit që do t’i bënin nder Shqipërisë. Nëse nuk e bën, atëherë nuk kanë faj vetëm Rama e Berisha. Nuk kanë faj as oligarkët, as mediat. Fajin e kemi të gjithë ne si shoqëri, sepse kemi këtë mallkim historik: të mos bashkohemi kurrë, të mendojmë secili për veten, sikur e përbashkëta të mos ketë asnjë vlerë.
Nganjëherë duket sikur Rama, sa herë ka ndonjë hall të madh e situata i del nga duart, u çon mesazh partive të tjera në WhatsApp: “Dilni secili më vete! Lërini njerëzit të çoroditen, se ndryshe na morët më qafë!” Populli vërtet është nul, por nuk ka kush e dirigjon. Nuk gjen kishë ku të falet.
Dhe Shqipëria pret. Pret që e reja të tregojë më në fund se është më shumë se një fjalë që tingëllon bukur, por nuk tregon asgjë të re.
