Dolly Parton ka anuluar turneun e saj të planifikuar në Las Vegas për shkak të problemeve shëndetësore, ndërsa po vijon trajtimin mjekësor.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet e saj sociale, 80-vjeçarja dhe ikona e muzikës country bëri të ditur se po i përgjigjet mirë ilaçeve dhe trajtimeve dhe se gjendja e saj po përmirësohet çdo ditë.
Fillimisht, Parton kishte shtyrë turneun e saj me gjashtë shfaqje në teatrin The Colosseum at Caesars Palace nga dhjetori 2025 në shtator 2026 për të menaxhuar problemet shëndetësore, por tashmë ka vendosur ta anulojë plotësisht.
“Kam ende nevojë për pak kohë për t’u shëruar, por jam në rrugën e duhur”, u shpreh ajo në një video mesazh, duke shtuar me humor se nuk mund të përballojë performancat e skenës duke mbajtur instrumente dhe veshje të rënda në taka të larta.
Parton kërkoi ndjesë fansave që kishin blerë bileta për koncertet në Las Vegas, por u shpreh optimiste se do t’i takojë sërish në të ardhmen.
Pavarësisht anulimit, ajo vazhdon të jetë aktive në muzikë dhe projekte të tjera, duke përfshirë regjistrime të reja, realizim videosh, vizita në parkun e saj Dollywood, si dhe punë për një muzikal në Broadway dhe projekte të reja në Nashville.
E njohur si një nga figurat më të mëdha të muzikës country, Dolly Parton ka fituar 10 çmime Grammy dhe është përfshirë në Rock and Roll Hall of Fame. Ajo mbetet e famshme për hite si “Jolene”, “9 to 5”, “I Will Always Love You” dhe “Coat of Many Colors”.
Rezidenca e saj në Las Vegas do të shënonte rikthimin e parë në këtë skenë që nga vitet 1990, kur ajo performoi së bashku me Kenny Rogers./mxh
