Dolly Parton ishte unike në çdo aspekt dhe, mesa duket, kishte menduar edhe për një surprizë që do të zbulohej shumë vite më vonë. Legjenda e muzikës country regjistroi në vitin 2015 një këngë të titulluar “My Place in History”, por vendosi që ajo të mos publikohej menjëherë.
Kënga u mbyll në një kapsulë kohore, të njohur si “Dream Box”, një kuti druri që ndodhet në resortin DreamMore, pranë parkut të saj të famshëm Dollywood. Kutia është planifikuar të hapet më 19 janar 2046, pikërisht në ditën kur Dolly Parton do të kishte festuar 100-vjetorin e lindjes.
Në një shënim të vendosur pranë kutisë thuhet se ajo përmban dëshirat dhe kujtimet e Dolly-t për të ardhmen. Brenda saj ndodhet edhe kënga, e cila ishte menduar të ishte publikimi i fundit muzikor i artistes. Deri në hapjen e kutisë në vitin 2046, vetëm Dolly e dinte melodinë dhe përmbajtjen e saj.
Vetë këngëtarja kishte folur për këtë projekt në një intervistë në “The Kelly Clarkson Show” në vitin 2022. Me humorin që e karakterizonte, ajo kishte thënë se do të donte ta dëgjonte sërish këngën, sepse sipas saj ishte “një këngë vërtet e mirë”.
Por Dolly kishte edhe një shqetësim: nëse regjistrimi do të mund të dëgjohej ende kur kutia të hapej.
“Nuk e di se e kujt ishte kjo ide e mallkuar”, u shpreh ajo asokohe, duke iu referuar mundësisë që regjistrimi të ishte dëmtuar deri atëherë.
Tani, pas ndarjes së saj nga jeta në moshën 80-vjeçare, kjo këngë e fshehur merr një kuptim edhe më të veçantë. Publiku do të duhet të presë deri në vitin 2046 për të zbuluar një pjesë të fundit të muzikës që Dolly Parton vendosi ta ruante për të ardhmen./mxh
