Last Updated on 20/12/2024 by adminfjala
Donald Trump do të kërkojë që vendet anëtare të NATO-s të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të PBB-së së tyre.
Në të njëjtën kohë, sipas Financial Times , presidenti i zgjedhur i SHBA planifikon të vazhdojë ofrimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën.
Gjatë fushatës së tij elektorale, Trump premtoi të ndërpresë ndihmën për Ukrainën, të detyrojë Kievin në bisedime paqeje dhe t’i lërë aleatët e NATO-s të pambrojtur nëse ata nuk shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen.
Ai do të kërkojë nga NATO më shumë se dyfishi i objektivit të saj të shpenzimeve prej 2% – i përmbushur aktualisht nga vetëm 23 nga 32 anëtarët e aleancës – në 5%.
Aleatët e NATO-s po diskutojnë rritjen e objektivit në 3 për qind përpara një takimi të liderëve në qershor, por shumë kryeqytete janë të shqetësuara për vendimet e ashpra fiskale që do të kërkoheshin për ta bërë këtë, thuhet në raport.
Zyrtarë të lartë evropianë nga aleatët e SHBA-së, përfshirë Francën, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Italinë dhe Poloninë, u takuan me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Bruksel të mërkurën mbrëma për të diskutuar se si kontinenti do të rregullojë politikat e mbrojtjes në përgjigje për kthimin e Trump.
Shantazh i rreptë
Në të njëjtën kohë, Donald Trump ka kërcënuar drejtpërdrejt Bashkimin Evropian me tarifa nëse nuk blejne më shumë naftë dhe gaz natyror amerikan. Tarifat gjithëpërfshirëse kanë qenë një narrativë qendrore e fushatës së presidentit të zgjedhur, por kjo është hera e parë që ai bën këtë lloj kërcënimi.
Duhet të theksohet se Shtetet e Bashkuara ishin importuesi më i madh i mallrave të BE-së në vitin 2023, pasi një në pesë produkte që importonte ishin evropiane.
“I thashë Bashkimit Evropian se ata duhet të zvogëlojnë deficitin e madh në bilancin tregtar me Shtetet e Bashkuara duke ecur përpara me blerjet e mëdha të naftës dhe gazit natyror amerikan. Përndryshe do të ketë tarifa kudo!”. shkruan Donald Trump në postimin e tij.
Kjo nuk është hera e parë që presidenti i ri amerikan paralajmeron vendosjen e tarifave si një mjet presioni.
Kërcënimi i ri i Donald Trump për tarifat ndaj vendeve të Bashkimit Evropian nëse ato nuk rrisin sasinë e hidrokarbureve dhe naftës që blejnë nga Shtetet e Bashkuara po ngjall frikën e një krize në marrëdhëniet transatlantike, pasi presidenti i ardhshëm duket i vendosur të përmbushë premtimet e fushatës .
./E.T