Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtorja e ngushtë e financierit Jeffrey Epstein, pritet të refuzojë t’u përgjigjet pyetjeve gjatë një seance dëgjimore këtë të hënë para Komitetit për Mbikëqyrjen dhe Reformën Qeveritare në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së.
Sipas një letre të dërguar të dielën nga kongresmeni amerikan Ro Khanna, Maxwell ka në plan të përdorë Amendamentin e Pestë të Kushtetutës së SHBA-së, i cili i lejon një personi të mos dëshmojë për çështje që mund ta vetëinkriminojnë, dhe të refuzojë të përgjigjet në të gjitha pyetjet thelbësore.
Maxwell u shpall fajtore në vitin 2021 për rolin e saj në ndihmën që i dha Jeffrey Epstein në abuzimin seksual të vajzave të mitura dhe aktualisht po vuan një dënim prej 20 vitesh burg.
Sipas kongresmenit Khanna, në vend që t’u përgjigjet pyetjeve të anëtarëve të komitetit, Maxwell planifikon të lexojë një deklaratë të përgatitur në fillim të seancës dëgjimore. Ai nuk ka dhënë detaje mbi burimin e këtij informacioni.
Në letrën drejtuar kryetarit të komitetit, James Comer, Khanna shpreh shqetësim për këtë qëndrim, duke theksuar se ai bie ndesh me sjelljen e mëparshme të Maxwell, e cila nuk kishte invokuar Amendamentin e Pestë gjatë takimeve të mëhershme me zëvendësprokurorin e përgjithshëm, Todd Blanche, për çështje të ngjashme.
Avokati i Ghislaine Maxwell nuk ka reaguar deri tani ndaj kërkesave për koment.
Seanca dëgjimore zhvillohet në një kohë kur Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka nisur publikimin e miliona dokumenteve të brendshme që lidhen me çështjen Epstein, duke rindezur vëmendjen publike dhe politike ndaj një prej skandaleve më të rënda të abuzimit seksual në Shtetet e Bashkuara./mxh
