Ish-ministri i Ekonomisë së Serbisë, Rade Basta, është arrestuar këtë të mërkurë në Beograd, nën dyshimet për keqpërdorime financiare gjatë kohës kur drejtonte ndërmarrjen publike “Beogradske elektrane”. Ai i shtohet kështu listës me zyrtarë dhe ish-zyrtarë të tjerë të lartë që janë vënë në pranga nga Prokuroria në Serbi, që pas humbjes së zgjedhjeve nga Aleksandër Vuçiç.
Bashkëpunëtorë të afërt të tij, në polici, burgje, por edhe në sektorin bankar, janë vënë në pranga për akuza të rënda penale, në një kohë kur Lëvizja Studentore ende nuk ka marrë nën kontroll të plotë institucionet. Rastet kanë ngritur pikëpyetje dhe mbi vetë rolin e prokurorëve, të cilët kanë pritur ndryshimet e pushtetit për të nisur arrestimet, ndërsa sfidë mbetet ende që këto akuza të provohen në gjykatë.
Vetë Aleksandër Vuçiç, i pyetur mbi mundësinë e prangosjes së tij, është shprehur se nuk ka frikë se do të arrestohet dhe se nuk do të gjenden prova për keqbërje financiare kundër tij.
“Unë nuk nënshkruaj dhe nuk bëj asgjë kur bëhet fjalë për paratë, dhe asgjë nuk mund të gjendet në këtë drejtim,” tha ai.
LISTA ME ZYRTARËT E VËNË NË PRANGA
1. Marko Kriçak, ish-drejtues i Drejtorisë së Policisë Kriminale. Akuzohet për keqtrajtim dhe torturë ndaj protestuesve studentorë.
2. Boško Sekulović, Drejtues policie në luftën kundër krimit të organizuar. U arrestua në të njëjtën dosje me Kriçakun.
3. Davor Macura, pronari i Alta Bank. Dyshohet se ka përvetësuar rreth 383 milionë euro nga arka e bankës, me ndihmën e dy punonjësve.
4. Jugoslav Nikolić, Drejtor i Institutit Hidrometeorologjik të Serbisë. Dyshohet për pastrim parash dhe fshehje të origjinës së pasurive.
5. Igor Žmirić, Komandant i Njësisë Speciale Antiterroriste. Arrestuar për dyshime mbi keqtrajtimin e protestuesve.
6. Milan Vuković – Drejtues i njësisë speciale të paraburgimit, i arrestuar në të njëjtën çështje të dhunës ndaj protestuesve.
7. Predrag Vuletić – Sekretar krahinor për Politikën Sociale, i arrestuar nën dyshime për abuzime me detyrën.
8. Rodoljub Rončević – Drejtues i burgut të Zabelës, i arrestuar në një hetim për abuzime.
9. Marko Gašić – Kryetar i komunës së Inđijës, i arrestuar bashkë me bashkëpunëtorë.
10. Rade Basta – Ish-ministër i Ekonomisë dhe ish-drejtor i ndërmarrjes publike të ngrohjes në Beograd. Arrestuar më 11 nëntor për dyshime për shpërdorim detyre dhe dëmtim financiar të ndërmarrjes.
Ajo që ndodhi në Serbi është një ndryshim historik: pas 14 vitesh dominim të SNS-së, Parti e drejtuar nga Aleksandër Vuçiç, një lëvizje e lindur nga protestat studentore arriti të marrë shumicën parlamentare dhe të mposhtë Vuçiçin në zgjedhje.
Megjithatë, sfida e vërtetë tani është nëse studentët do të arrijnë ta kthejnë fitoren elektorale në ndryshim real të institucioneve, drejtësisë dhe administratës./AD
