Drake ka arritur një sukses të paprecedentë në tregun muzikor britanik, duke hyrë në histori si artisti i parë që debuton njëkohësisht me tre albume studio në dhjetëshen më të mirë të klasifikimeve zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar.
Reperi kanadez publikoi më 15 maj projektin kryesor “Iceman”, ndërsa surprizoi fansat edhe me dy albume të tjera, “Habibti” dhe “Maid of Honour”. Menjëherë pas publikimit, të tre projektet u renditën në Top 10 të listës britanike të albumeve.
“Iceman” mori vendin e parë në klasifikim, ndërsa “Maid of Honour” dhe “Habibti” u pozicionuan respektivisht në vendin e gjashtë dhe të shtatë.
Sipas “Official Charts Company”, askush më parë nuk kishte arritur të fuste tre albume studio në Top 10 britanik në të njëjtën kohë.
Me këtë sukses, Drake regjistron albumin e tij të shtatë që arrin majën e klasifikimeve në Britani dhe projektin e 17-të që hyn në Top 10 gjatë karrierës së tij.
Tre albumet përfshijnë dhjetëra këngë dhe bashkëpunime me emra të njohur të skenës muzikore si Central Cee, 21 Savage dhe PARTYNEXTDOOR.
Publikimi i tyre pati ndikim të menjëhershëm edhe në platformat digjitale, ku Drake vendosi rekorde të reja në Spotify si artisti më i dëgjuar brenda 24 orëve gjatë vitit 2026.
Projektet e fundit vijnë pas rivalitetit të shumëpërfolur me Kendrick Lamar, përplasje që dominoi botën e hip-hop-it dhe që sipas fansave reflektohet edhe në tekstet e reja të reperit.
Secili album sjell një atmosferë të ndryshme muzikore: “Iceman” rikthen stilin klasik të rap-it, “Habibti” eksploron tingujt R&B, ndërsa “Maid of Honour” fokusohet më shumë te ritmet dance dhe moderne.
Edhe kritika muzikore ka reaguar ndryshe ndaj projekteve, me disa media që kanë vlerësuar energjinë dhe vetëbesimin e Drake, ndërsa të tjera kanë qenë më skeptike ndaj materialit të ri./mxh
