Dua Lipa ka vendosur të flasë hapur për një nga momentet më të rëndësishme të jetës së saj private: martesën me aktorin Calum Turner.
Në një intervistë për Vogue Italia, këngëtarja ka treguar se dita e dasmës ishte e veçantë dhe se çifti kishte zgjedhur të ndiqte vetëm dy këshilla mes shumë sugjerimeve që morën për ceremoninë.
Dua dhe Turner u martuan në maj në Old Marylebone Town Hall, në Londër, ndërsa festimet vazhduan më pas në Siçili, ku çifti organizoi një festë tre ditore në Palermo.
“Dita e dasmës ishte magjike”, ka treguar Dua, duke shpjeguar edhe mënyrën se si ajo dhe bashkëshorti i saj vendosën ta përjetonin atë ditë.
Sipas saj, ata u përpoqën të mos humbnin njëri-tjetrin mes të ftuarve dhe ta shijonin dasmën jo vetëm si protagonistë, por edhe si dy njerëz që po përjetonin një festë të rëndësishme bashkë.
“Vendosëm ta jetonim sikur të ishim edhe ne të ftuar dhe të kërkonim vazhdimisht njëri-tjetrin mes turmës”, ka rrëfyer këngëtarja.
Edhe Calum Turner ka folur së fundmi për martesën, duke e përshkruar atë si një nga ditët më të bukura të jetës së tij. Aktori ka treguar se ndihet me fat që ka gjetur një person që dashuron dhe me të cilin dëshiron të ndajë jetën.
Në të njëjtën bisedë, Turner është shprehur i hapur edhe për të ardhmen e çiftit dhe dëshirën për të krijuar familje. Në moshën 36-vjeçare, aktori tha se do të donte të bëhej prind dhe të rriste fëmijët e tij.
Kështu, përtej karrierës dhe jetës publike, Dua Lipa dhe Calum Turner duket se po nisin një tjetër kapitull të rëndësishëm, këtë herë si çift i martuar dhe me plane për të ardhmen./mxh
