Në një intervistë të fortë dhe emocionale në podcastin e Grida Dumës, Cllevio Serbiano ka rrëfyer një realitet të vështirë që, sipas tij, po e jeton çdo ditë larg syrit të publikut. Mes reflektimeve filozofike dhe përballjes me frikën, ai tregoi se ndodhet në një periudhë kritike ku siguria personale është vënë seriozisht në rrezik.
Sipas tij, lëvizjet janë kufizuar ndjeshëm dhe jeta e përditshme është kthyer në një regjim të kontrolluar. Ai pranoi se është detyruar të marrë masa ekstreme për mbrojtjen e vetes, duke përfshirë përdorimin e një makine të blinduar dhe qëndrimin në ambiente të izoluara.
“Jam futur në bunker. Duan të më vrasin, ndaj lëviz me makinë të blinduar”, u shpreh ai.
Cllevio foli gjithashtu për një konflikt të pazgjidhur, që ai e përshkroi si një përballje të ngrirë mes dy palëve. Edhe pse nuk dha detaje konkrete për personat e përfshirë, ai la të kuptohet se situata është e ndërlikuar nga presioni i opinionit publik dhe ndikimi i ndjekësve në rrjetet sociale.
“Jemi të dy në një duel, ngecëm! Ai do të më falë, por ka hallin e turmës…”
Sipas tij, ekziston mundësia e një pajtimi, por rrethanat dhe “logjika e turmës” e bëjnë të vështirë një hap të tillë. Megjithatë, pavarësisht tensioneve, ai u shfaq i vendosur dhe pa frikë përballë çdo skenari.
“Nuk e kam problem edhe nëse vdes! Muzika ime do të mbahet mend gjatë”
Në fund, artisti theksoi se ajo që e mban në këmbë është besimi tek muzika dhe trashëgimia që dëshiron të lërë pas. Ai u shpreh se krijimtaria e tij është më e fortë se çdo rrezik, duke shtuar se emri i tij do të jetojë përtej çdo situate personale./mxh
