Last Updated on 29/04/2026 by EL
Një sukses është cilësuar vizita e mbretit Charles në SHBA, si nga pallati i Britanisë së Madhe ashtu edhe Shtëpia e Bardhë, në mesin e ndasive të thella mes dy vendeve. Këtë e tregoi edhe postimi që bëri Shtëpia e Bardhë mbrëmjen e së martës, ku foton e Trumpit të buzëqeshur me monarkun britanik e shoqëroi me shkrimin “2 mbretër!”.
Charles mbajti një fjalim të rrallë në Kongres mbrëmjen e së martës, ku tha se pavarësisht pasigurisë dhe konfliktit në Europë dhe Lindjen e Mesme, Londra dhe Uashingtoni do të jenë gjithmonë aleatë të vendosur e të bashkuar në mbrojtjen e demokracisë.
“Cilat do qofshin dallimet tona, cilado qofshin mosmarrëveshjet që mund të kemi, ne qëndrojmë të bashkuar në përkushtimin tonë për të mbrojtur demokracinë, për të mbrojtur të gjithë njerëzit tanë nga dëmi dhe për të nderuar guximin e atyre që çdo ditë rrezikojnë jetën në shërbim të vendeve tona.”
Në fjalimin që nxiti ovacione të mëdha, e që siç ishte paralajmëruar nuk do të ishte politik, Charles iu referua edhe kritikave të presidentit amerikan Donald Trump ndaj NATO-s, duke vënë theksin tek ndihma e vazhdueshme e SHBA ndaj Ukrainës, rreziqet e izolimit dhe madje edhe tek ruajtja e natyrës, një çështje e rëndësishme kjo për mbretin.
Charles iu referua sulmeve të 11 shtatorit, duke thënë se dy vendet u përgjigjën së bashku, ashtu siç kanë bërë popujt për më shumë se një shekull, krah për krah në dy luftëra botërore.
Më vonë, gjatë një darke shtetërore në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se Charles nuk dëshironte që Irani të kishte armë bërthamore, një deklaratë që mbreti nuk e komentoi.
“Po bëjmë punë në Lindjen e Mesme tani dhe po ecim shumë mirë. E kemi mposhtur ushtarakisht kundërshtarin dhe nuk do ta lejojmë kurrë atë të ketë armë bërthamore, dhe Charles pajtohet me mua edhe më shumë se unë vetë mbi këtë.”
Pas komenteve të Donald Trump, Charles nuk foli për luftën me Iranin në deklaratat e tij, ndërsa Pallati Buckingham tha se Mbreti është “natyrshëm i vetëdijshëm” për pozicionin e vendosur të Qeverisë Britanike kundër përhapjes së armëve bërthamore në Iran. /et
