Nga heroizmi në turp, nga pushteti në burg – historia franceze e tregon se drejtësia dhe historia mund të takohen, por rrallë falin.
Në historinë e gjatë të Republikës Franceze, pak udhëheqës kanë përfunduar në burg. Por në dy periudha të largëta, Franca pa dy figura të saj të larta të përfundojnë pas grilave: Philippe Pétain, heroi i Verdunit që u bë simbol i tradhtisë kombëtare, dhe Nicolas Sarkozy, ish-presidenti i pestë i Republikës së Pestë, i dënuar për korrupsion.
Nicolas Sarkozy – një precedent i ri në Francën moderne
Më 21 tetor 2025, ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy u dërgua në burgun La Santé në Paris për të vuajtur dënimin e tij për korrupsion dhe trafik influence. Ai u bë kështu presidenti i parë i Republikës moderne franceze që përfundon realisht në qeli.
Megjithatë, Sarkozy nuk ishte i vetmi në historinë franceze që njohu burgun. Para tij, një tjetër udhëheqës francez kishte kaluar të njëjtin fat – por në rrethana shumë më tragjike dhe të përgjakshme.
Philippe Pétain – Nga heroi i Verdunit në tradhtar të Francës
Philippe Pétain lindi më 24 prill 1856 në Cauchy-à-la-Tour, në rajonin e Pas-de-Calais. Ai ishte një ushtarak i talentuar që u bë i njohur gjatë Luftës së Parë Botërore, kur komandoi mbrojtjen heroike të Verdunit në vitin 1916 – një nga betejat më të përgjakshme të historisë moderne.
Pas fitores franceze, ai u nderua si “shpëtimtari i Verdunit” dhe u ngrit në gradën më të lartë ushtarake: Marshall i Francës.
Nga lavdia në kolaboracion
Pas luftës, Pétain vazhdoi karrierën e tij si figurë publike. Ai shërbeu si Ministër i Luftës në vitin 1934 dhe më pas si Ambasador në Spanjë. Por me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, Franca u përball me një krizë ekzistenciale.
Në qershor 1940, ndërsa Gjermania naziste pushtonte vendin, Pétain u thirr si figurë shpëtimtare dhe u emërua Kryeministër. Vetëm disa ditë më vonë, ai nënshkroi armëpushimin me Gjermaninë, duke i dhënë fund luftës për Francën, por jo pushtimit.
Në korrik 1940, Pétain mori titullin e ri – Kryetar i Shtetit Francez – dhe krijoi qeverinë e ashtuquajtur “Franca e Vichy-t”, e cila bashkëpunoi ngushtë me pushtuesit nazistë. Regjimi i tij zbatoi politika autoritare, përfshirë dëbimet e hebrenjve francezë drejt kampeve të përqendrimit.
Rënia dhe gjykimi
Pas çlirimit të Francës në gusht 1944, Pétain u arratis në Gjermani, por u kap dhe u riatdhesua pas përfundimit të luftës. Në korrik 1945, ai u gjykua në Paris për tradhti kombëtare.
Gjykata e dënoi me vdekje, por për shkak të moshës së tij të thyer (89 vjeç), Charles de Gaulle ia ndryshoi dënimin në burgim të përjetshëm.
Pétain u internua në ishullin Yeu, ku kaloi vitet e fundit i izoluar. Aty ai vdiq më 23 qershor 1951, në moshën 95-vjeçare.
Dy fate, dy Franca
Historia e këtyre dy burrave – një hero lufte që u bë tradhtar dhe një president republikan që u dënua për korrupsion – përfaqëson dy anët e një pasqyre të gjatë politike franceze.
Në rastin e Pétainit, burgimi ishte simbol i gjykimit moral të një kombi të plagosur nga lufta dhe pushtimi. Në rastin e Sarkozisë, burgimi është dëshmi e forcës së drejtësisë republikane, që nuk njeh imunitet, as për presidentin.
Përgatiti: L.Veizi
