Rreth dy të tretat e punonjësve në Gjermani do ta konsideronin mundësinë për të punuar jashtë vendit, sipas një sondazhi të publikuar nga instituti i kërkimeve të tregut “Appinio” për portalin e punësimit “Indeed”.
Destinacionet më të preferuara rezultojnë të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Zvicra.
Sondazhi tregoi se një e treta e të anketuarve kanë bërë tashmë kërkime konkrete për punë jashtë Gjermanisë.
Megjithatë, interesi për Shtetet e Bashkuara ka rënë kohët e fundit krahasuar me vitet e mëparshme.
Ekonomistja e “Indeed”, Virginia Sondergeld, tha se ky fenomen duhet parë edhe si një shenjë pakënaqësie me kushtet e punës dhe jetesës në Gjermani.
Sipas saj, nëse dy të tretat e punonjësve mendojnë të largohen, politikanët dhe punëdhënësit duhet të marrin seriozisht këtë sinjal dhe të krijojnë më shumë stimuj për të mbajtur talentet në vend.
Dëshira për të punuar jashtë është veçanërisht e lartë tek personat me të ardhura të larta.
Rreth gjysma e familjeve me të ardhura neto mbi 6 000 euro në muaj kanë aplikuar tashmë për vende pune jashtë ose po eksplorojnë aktivisht tregjet e huaja të punës.
Megjithatë, shumica dërrmuese e atyre që mendojnë të punojnë jashtë nuk planifikojnë të largohen përgjithmonë.
Shumë prej tyre e shohin eksperiencën ndërkombëtare si një mundësi të përkohshme, që mund të zgjasë nga disa muaj deri në disa vite, përpara se të rikthehen në Gjermani./mxh
