John Harris
Reform UK dhe lëvizja Maga kanë të drejtë kur thonë se plakja e popullsisë po krijon probleme të mëdha shoqërore. Por prosperiteti ynë vazhdon të mbështetet te puna e emigrantëve.
Një mal gjithnjë e më i madh raportesh nxjerr në pah një nga veçoritë më interesante të Shteteve të Bashkuara: fakti që njerëzit në shtetet republikane (“të kuqe”) po lindin dukshëm më shumë fëmijë sesa ata në shtetet demokrate (“të kaltërta”). Kjo prirje po inkurajohet gjithnjë e më shumë nga figura të njohura që ëndërrojnë një bum lindjesh në frymën e lëvizjes Maga.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance dhe bashkëshortja e tij presin fëmijën e katërt. Vance thotë se dëshiron “më shumë foshnja në Amerikë” dhe, me gjasë, më pak nga ata njerëz që ai dikur i përqeshi si “zonjat pa fëmijë me mace”.
Elon Musk besohet se është baba i 14 fëmijëve. Pikëpamjet e tij mbi riprodhimin përputhen me përpjekjen trumpiste për rritjen e lindshmërisë.
“Nëse njerëzit nuk bëjnë më shumë fëmijë, qytetërimi do të shembet”, deklaroi ai në vitin 2021. “Mbajini mend fjalët e mia.”
Në Evropë, kryeministrja e ekstremit të djathtë në Itali, Giorgia Meloni, thotë se do të përballet me atë që ajo e quan “dimri demografik” – kombinimi i normave rekord të ulëta të lindshmërisë dhe plakjes së popullsisë.
Edhe Viktor Orbán, para se të humbiste pushtetin, mbronte të njëjtën ide. “Ne kemi nevojë për fëmijë hungarezë”, deklaroi ai në vitin 2019, ndërsa shpallte përjashtim të përjetshëm nga tatimi mbi të ardhurat për gratë që lindnin katër ose më shumë fëmijë.
Ky është një tjetër front në luftën kulturore që duket se nuk ka fund. Edhe pse larg së vërtetës, rënia e lindshmërisë shpesh i faturohet individualizmit liberal dhe grave ekonomikisht të pavarura që kërkojnë një jetë profesionale kuptimplotë.
Natyrisht, tema lidhet drejtpërdrejt me obsesionin e së djathtës së re për emigracionin. Ajo pasqyron gjithashtu bindjen e njohur se, pavarësisht krizës klimatike, njerëzit dhe korporatat duhet të vazhdojnë të bëjnë çfarë të duan.
Në pamje të parë, kjo mund t’i shtyjë progresistët të argumentojnë se rënia e lindshmërisë është vetëm një zhvillim pozitiv. Jo vetëm sepse përfaqëson një nga format më themelore të emancipimit të grave.
Shumë njerëz e mbështesin këtë ide edhe për arsye klimatike. Një studim i rëndësishëm i vitit 2017 arriti në përfundimin se lindja e një fëmije më pak redukton emetimet e karbonit me rreth 58.6 ton në vit për çdo vit të jetës së një prindi. Kjo është shumë më tepër sesa ndryshime të tjera të stilit të jetesës, si dieta pa mish apo heqja dorë nga makina.
Megjithatë, gjithnjë e më shumë studiues argumentojnë se përfitimet klimatike të rënies së lindshmërisë materializohen shumë ngadalë. Siç thuhej në një studim amerikan: “Lindshmëria e ulët është një zgjidhje e rreme për ndryshimet klimatike. Efektet e saj mbi popullsinë janë shumë të vogla dhe shumë të ngadalta.”
Ekzistojnë edhe argumente të tjera kundër idesë se më pak lindje do ta ndihmojnë domosdoshmërisht planetin.
Vitin e kaluar, akademiku David Runciman identifikoi problemin kryesor të demokracive me pak votues të rinj:
“Shoqëritë që plaken votojnë ndryshe, konsumojnë ndryshe dhe investojnë ndryshe nga shoqëritë më të balancuara. Rënia e lindshmërisë e bën më të vështirë të mendosh për të ardhmen, sepse gjithnjë e më shumë burime shkojnë për njerëzit që tashmë kanë jetuar pjesën më të madhe të jetës së tyre.”
Dhe kjo është e vërtetë.
Sa më shumë rritet pesha e të moshuarve në popullsi, aq më pak punëtorë mbeten për të financuar pensionet, shërbimet shëndetësore dhe kujdesin social. Kjo do të thotë më pak para për luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe qeveri që e kanë gjithnjë e më të vështirë të mendojnë në afatgjatë.
Ndërkohë, ndryshimet shoqërore po përshpejtohen.
Javën e kaluar u njoftua se norma totale e fertilitetit në Angli dhe Uells kishte rënë në më pak se 1.4 fëmijë për grua – niveli më i ulët në afro 50 vjet dhe viti i katërt radhazi i rënies.
Në vitin që përfundoi në mesin e vitit 2023, numri i vdekjeve në Mbretërinë e Bashkuar tejkaloi numrin e lindjeve për herë të parë pas gjysmë shekulli.
Shkollat kanë mijëra vende bosh. Vetëm qyteti i Southampton-it parashikon rreth 3.000 vende të tepërta deri në vitin 2030, ekuivalente me 100 klasa. Në të ardhmen, mbylljet masive të shkollave mund të bëhen të pashmangshme.
Bizneset e lidhura me fëmijët do të falimentojnë më shpesh. Më vonë, qytete dhe fshatra të tëra mund të fillojnë të zbrazen. Vendi mund të bëhet më i qetë, më statik dhe më pak i orientuar drejt familjes.
Me përjashtim të Afrikës Subsahariane, këto prirje po shfaqen tashmë në vendet e pasura, të mesme dhe të varfra.
Koreja e Jugut mbetet në fund të renditjes globale të lindshmërisë. Ndër arsyet kryesore janë kostot e papërballueshme të strehimit dhe kujdesit për fëmijët.
Një reportazh i revistës New Yorker vitin e kaluar citonte një gazetare nga Seuli që rrinte në një kafene të heshtur.
“Njerëzit këtu nuk i duan fëmijët”, tha ajo. “Kur shohin një fëmijë, reagojnë me bezdi. Nënat i quajnë ‘insekte’ ose ‘parazitë’. Nëse fëmija yt bën pak zhurmë, dikush do të të shohë shtrembër.”
Çfarë po e shkakton gjithë këtë?
Përgjigjja është një përzierje e ndërlikuar e progresit shoqëror – si ulja e shtatzënive në adoleshencë dhe rritja e lirisë individuale – me anët më të errëta të kapitalizmit modern: mungesën e banesave sociale, kostot e larta të kujdesit për fëmijët, pasigurinë në punë, pagat e ulëta dhe pesimizmin e përgjithshëm për të ardhmen.
Shkrimtarja amerikane Anna Louie Sussman po boton së shpejti librin “E Pakonceptueshme: Pamundësia e Familjes në Epokën e Pasigurisë”.
Ajo është ndër ata që e lidhin rënien moderne të lindshmërisë me krizën financiare të viteve 2007-2008 dhe me ndikimin psikologjik të epokës së informacionit të pandërprerë dixhital, ku ankthi dhe pasiguria janë bërë të kudogjendura.
Ajo thekson gjithashtu se, ndryshe nga stereotipi që fajëson klasën e mesme, rënia e lindshmërisë në SHBA ka qenë më e fortë te gratë pa diplomë universitare sesa te ato të arsimuara.
Falë rritjes së popullaritetit të Reform UK, britanikët do të dëgjojnë shumë më tepër për këtë temë.
“Ne duam ta ulim emigracionin në mënyrë drastike”, deklaroi një zëdhënës i partisë verën e kaluar. “Në të njëjtën kohë, për të zgjidhur krizën demografike, duam të inkurajojmë britanikët që të bëjnë më shumë fëmijë.”
Kjo shpjegon planin e Nigel Farage për lehtësira të reja fiskale për çiftet e martuara dhe sugjerimin e tij polemizues që kufizimi i përfitimeve për dy fëmijë të hiqet vetëm për familjet “e lindura në Britani”.
Megjithatë, përvoja ndërkombëtare tregon se masa të tilla kanë pak ndikim.
Në të vërtetë, pavarësisht nëse Farage, Vance, Meloni dhe të tjerët e pëlqejnë apo jo, rënia e lindshmërisë po tregon një të ardhme ku emigrantët nuk do të demonizohen pafundësisht nga politikanët populistë, por do të kërkohen me ngulm nga vendet që pa ta rrezikojnë kolapsin social.
Shumë nga mbështetësit e sotëm të së djathtës së re do ta përjetojnë këtë realitet drejtpërdrejt dhe shumë shpejt, në azile, spitale dhe qendra kujdesi.
Atje do të kujdesen për ta pikërisht ata njerëz që udhëheqësit e tyre të preferuar dikur i stigmatizonin.
Dhe këta punonjës do të jenë gjithnjë e më të paktë.
Atëherë mund të vijë një ndërgjegjësim kolektiv, por tepër vonë: se mbyllja e dyerve ndaj emigracionit në një kohë kur lindshmëria po shembej ishte përkufizimi më i qartë i marrëzisë politike.
*John Harris është kolumnist i Guardian.
