Të paktën 21 persona kanë humbur jetën pasi dy automjete minibus dhe një makinë u përplasën në provincën Western Cape të Afrikës së Jugut, në orët e para të së hënës, njoftuan autoritetet.
Tre persona të tjerë mbetën të plagosur rëndë nga aksidenti, i cili ndodhi në rrugën mes Prince Albert dhe Leeu-Gamka.
Autostrada u mbyll për disa orë për t’u mundësuar ekipeve të emergjencës të ndërhynin.
Shkaku i aksidentit ende nuk dihet.
Aksidentet me pasoja fatale janë një problem i përsëritur në Afrikën e Jugut.
Ndër shkaqet më të zakonshme janë shpejtësia e lartë, parakalimet e rrezikshme, lodhja e drejtuesve të mjeteve, automjetet jo të mirëmbajtura dhe infrastruktura e pamjaftueshme rrugore.
Sipas Ministrisë së Transportit, rreth 11 500 persona humbën jetën në aksidente rrugore në Afrikën e Jugut gjatë vitit 2025./mxh
