Last Updated on 21/07/2025 by adminfjala
Një tragjedi e rëndë ka goditur spitalin pediatrik në qytetin Lille të Francës, ku një foshnjë vetëm pesë ditëshe, e lindur para kohe, ka humbur jetën në rrethana të tmerrshme. E mitura, Zayneb-Cassandra, ndodhej në repartin Rainbow nën kujdes intensiv, pasi kishte lindur gjashtë javë para afatit të parashikuar.
Ajo u gjet pa ndjenja më 11 korrik, pranë krevatit të saj, me shenja të dukshme dëmtimi në kokë. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë përmes aparaturave, foshnja ndërroi jetë katër ditë më vonë, më 15 korrik.
Sipas konfirmimeve zyrtare nga prokuroria e Lille, vdekja është shkaktuar nga një traumë në tru që përputhet me një rënie nga një lartësi e ulët. Hetimet paraprake kanë zbuluar se një fëmijë gjashtëvjeçar, që ndodhej në të njëjtin repart me familjen e tij, dyshohet se ka marrë foshnjën nga krevati dhe e ka hedhur në dysheme. Dëshmitarë të pranishëm e kanë parë atë në afërsi të krevatit të të porsalindurës në kohën e ngjarjes.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar se si ka qenë e mundur që një fëmijë pa mbikëqyrje të ketë hyrë në një dhomë me një foshnjë në gjendje të brishtë shëndetësore.