Last Updated on 11/11/2026 by Anisa
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm, rreth orës 06:00 në lagjen “Afrim i Ri”, në qytetin e Fierit, ku një çift është asfiksuar si pasojë e rrjedhjes së gazit në banesën e tyre. Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në banesën e familjes Kola, ku çifti ushtronte edhe aktivitetin e tyre familjar në prodhimin e bukës.
Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë dy autoambulanca, të cilat kanë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit Janaq Kolën, rreth 60 vjeç, dhe bashkëshorten e tij. Të dy bashkëshortët janë paraqitur në spital në gjendje asfiksie. Sipas bluzave të bardha, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Ende nuk dihet se kush e ka konstatuar i pari situatën dhe ka njoftuar shërbimet e urgjencës. Ndërhyrja në kohë e ekipeve mjekësore ka shmangur pasoja edhe më të rënda. Ndërkohë, në vendngjarje ndodhen shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes./ad
