Gaby Hinsliff*
E xhiruar me pizhamat e veshura dhe me sy të përgjumur, Jacinda Ardern shfaqet në filmin e ri duke i bërë thirrje publikut për më shumë dhembshuri – dhe është e vështirë ta injorosh. Kamera e ndjek ndërsa pastron thërrimet nga banaku, ushqen me gji, përpiqet të flasë në telefon ndërsa ndërkohë i heq nga duart vajzës së saj të vogël diçka që ajo ka kapur mbi tavolinë. Janë skena që shumë prindër të lodhur do i njihnin menjëherë, me ndryshimin se Ardern, në ato momente, ishte kryeministrja e Zelandës së Re. Këto pamje shtëpiake – filmuar me telefon nga bashkëshorti i saj për përdorim familjar – tashmë janë kthyer në një dokumentar që do të shfaqet nëpër kinema britanike këtë dhjetor.
“Prime Minister”, filmi, është hapi i fundit në përpjekjen e Ardern-it që politikanëve t’u njihet e drejta për të qenë njerëzorë – që në thelb do të thotë që publiku të pranojë se ata përballen me të njëjtat presione private si të gjithë ne (dhe pa dyshim, i ngatërrojnë gjërat po aq shpesh). Kjo ishte edhe mesazhi i kujtimeve të saj të fundit, A Different Kind of Power, si edhe i vetë karrierës së saj politike, një mesazh që është bërë edhe më urgjent në një kohë kur kërcënimet e dhunshme dhe fyerjet ndaj kujtdo që ka një rol publik janë shtuar, sikur zgjedhja në detyrë t’i ç’bënte menjëherë njerëzit.
Sigurisht që politikanët janë vetëm mish e gjak; natyrisht që sëmuren, kanë fëmijë apo prindër të moshuar që kanë nevojë për ta, gabojnë apo kanë nevojë për pushim. (Edhe pse kjo nuk nënkupton, Boris Johnson, për disa ditë çlodhjeje plot hare duke bredhur me motor të ri nëpër çatitë e Chequers me bashkëshorten tënde – pikërisht në shkurtin vendimtar të përgatitjeve për pandeminë.) Pa llojin e tolerancës që kërkon Ardern, rolet e lidershipit do t’u liheshin robotëve dhe sociopatëve, gjë që padyshim nuk është në interes të askujt.
Megjithatë, dyshimi mbetet: ndonjëherë, në politikë, “thjesht njerëzor” përdoret si lutje për falje, ose si përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga çështjet e debatueshme politike tek ato personale – më prekëse, më të buta, më të lehta për t’u manipuluar. Është e vështirë të zemërohesh me dikë që e ke parë të tundë një shportë foshnje ndërsa punon me letra, siç ndodh me Ardern në film. Por çfarë ndodh nëse ka arsye të mira për t’u zemëruar? A u lejohet politikanëve të jenë aq “njerëzorë” edhe në krizën e një përmase ekzistenciale që kërkon përpjekje pothuajse mbinjerëzore?
Si Keir Starmer, ashtu edhe Rachel Reeves – njerëz natyrshëm të rezervuar e privatë – kanë treguar pak nga ana e tyre më e butë në prag të një buxheti që parashikohet të jetë tepër i vështirë. Ai, duke botuar një letër të dashur për djalin e tij adoleshent në Ditën Ndërkombëtare të Burrave; ajo, duke shprehur hapur irritimin ndaj komentatorëve që i “mansplain”-ojnë ekonominë. Të dyja ndërhyrjet duken të dizajnuara për t’i bërë më të afërt me publikun, ndoshta për të ngritur edhe një lloj mburoje emocionale ndaj kritikave që pritet të shpërthejnë të mërkurën.
Por njerëzit që janë vetë në vështirësi nuk kanë shumë simpati për ata që janë nominalisht përgjegjës për ekonominë brenda së cilës po vuajnë. Madje edhe filmi i Ardern-it, që mori çmim të publikut në festivalin Sundance më herët këtë vit, pritet ndryshe në Zelandën e Re. Kritikët thonë se ai kalon shumë lehtë mbi pyetjet e vështira për atë që ajo realisht arriti në detyrë – pavarësisht gjithë fjalëve për udhëheqje me mirësi dhe empati.
Në fakt, ka një mënyrë më objektive, edhe pse më pak dramatike, për të vlerësuar bilancin e saj. Komisioni Mbretëror i Zelandës së Re, i ngarkuar me nxjerrjen e mësimeve nga pandemia, publikoi raportin e parë këtë verë. Në krahasim me verdiktin dërrmues “shumë pak, shumë vonë” të hetimit britanik për mënyrën si qeveria e Johnson e menaxhoi pandeminë, Ardern del gati e ndritshme. Strategjia e saj “bëhu i fortë dhe i mirë”, që përfshiu mbylljen e hershme të kufijve për të mbajtur virusin jashtë, u gjykua efektive në aspektin shëndetësor, duke frenuar përhapjen deri sa të mbërrinin vaksinat dhe duke lejuar vendin të kalonte më pak kohë nën bllokime të rrepta se shumë shtete të tjera.
Por raporti gjeti gjithashtu se kërkesat e rrepta të karantinës – që praktikisht mbajtën jashtë jo-shtetasit për gati dy vjet dhe bënë që edhe vetë qytetarët të mos ishin të sigurt nëse do mund të largoheshin e të ktheheshin – lanë të bllokuar studentë të huaj dhe ndanë familje, duke shkaktuar tek disa njerëz pasoja të rënda psikologjike. Vendimi i Ardern-it për të bërë vaksinimin të detyrueshëm për disa punë dhe aktivitete sociale u vlerësua si i arsyeshëm për shëndetin publik – por i kushtoi vendet e punës disa kundërshtarëve të vaksinës dhe i la të tjerë të ndiheshin të përjashtuar, duke nxitur pakënaqësi dhe mosbesim ndaj autoriteteve mjekësore.
Raporti është i vështirë të lexohet pa menduar se Britania do të kishte kaluar më mirë pandeminë me një Ardern në krye dhe jo me një Johnson. Por po aq e vështirë është ta lexosh pa kuptuar se askush nuk mund të marrë çdo vendim të duhur; dhe se në një krizë ku ajo që është më mirë për vendin është domosdoshmërisht e vështirë për shumë individë, të bëje atë që ishte më e drejtë për të gjithë ishte matematikisht e pamundur.
Të jesh njeri do të thotë të pranosh se ka raste kur edhe më e mira e dikujt nuk mjafton. Në situata kërcënuese për jetën, ideja që udhëheqësit nuk janë të gjithëfuqishëm është vetë tronditëse – ndoshta për këtë arsye shumë njerëz preferojnë të zemërohen me gabimet e politikanëve sesa të pranojnë se të gjithë kemi kufij.
Dhe pikërisht këtë, besoj, e ka përballë edhe filmi i Ardern-it. Nuk është thjesht që gruaja në ekran është e metë. Është se edhe ne, ulur në sallë, duke ngrënë kokoshka dhe duke gjykuar, jemi po aq njerëzorë.
*Gaby Hinsliff është kolumniste e Guardian-it/ Përgatiti për botim: L.Veizi
