Sipas raportit më të fundit të INSTAT, indeksi i çmimeve të konsumit në muajin tetor 2025 u rrit me 2,3% krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, duke reflektuar një rritje të lehtë të inflacionit pas disa muajsh stabilitet.
Në raport me shtatorin, çmimet u rritën me 0,1%, çka tregon një tendencë të qëndrueshme të kostos së jetesës.
Grupi që ka ndikuar më shumë në këtë rritje mbetet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, me një rritje vjetore prej 4,3% dhe kontribut më të lartë në inflacionin total. Pas tij renditen “Ushqimet dhe pijet joalkoolike”, me ndikim të fortë në buxhetet familjare, si dhe grupet “Mobilje dhe pajisje shtëpie”, “Pije alkoolike e duhan” dhe “Hotele, kafene e restorante”, të cilat kanë shënuar rritje nga 2,4% deri në 3,1%.
Sipas të dhënave, çmimet e ushqimeve dhe energjisë vijojnë të jenë shtysat kryesore të inflacionit, ndërsa sektorë si transporti dhe shëndetësia kanë mbetur pothuajse të pandryshuar.
Krahasuar me vitin e kaluar, inflacioni në Shqipëri mbetet nën objektivin 3% të Bankës së Shqipërisë, por tendenca e muajve të fundit tregon një rritje të ngadaltë, që lidhet me kostot e energjisë dhe shërbimeve bazë.
Raporti i INSTAT për tetorin 2025 sinjalizon se çmimet po stabilizohen, por ndikimi i faturave të banesës, energjisë dhe produkteve ushqimore vazhdon të peshojë mbi shpenzimet familjare. m.p.
