Ndërsa aksionarët e Teslës miratuan një paketë të re page prej 1 trilion dollarësh për Elon Musk, në varësi të arritjes së objektivave specifike gjatë dhjetë viteve të ardhshme, njeriu më i pasur në botë thotë se jeton në një shtëpi me vlerë 50,000 dollarë në Teksas.
Edhe pse pasuria e tij personale i ka tejkaluar të gjitha precedentët historikë, Elon Musk këmbëngul se jeta e tij e përditshme është larg imazhit të një miliarderi tradicional. Në vitin 2021, ai zbuloi se jeton në një shtëpi të vogël parafabrikat me vlerë 50,000 dollarë, pranë objektit SpaceX në Teksasin Jugor.
“Është paksa e mrekullueshme”, tha ai në atë kohë, duke shpjeguar se nuk ka nevojë për asgjë më shumë. Ish-partnerja e tij, Grimes, me të cilën ka dy fëmijë, i tha Vanity Fair në vitin 2022 se ai “nuk jeton si miliarder”.
“Ndonjëherë ai jeton nën kufirin e varfërisë”, tha ajo, duke zbuluar se kishte refuzuar të blinte një dyshek të ri edhe pse i vjetri kishte një vrimë.
Kjo nuk do të thotë që Musk nuk ka bërë investimet e tij. Në vitin 2019, Wall Street Journal zbuloi se ai zotëronte shtatë shtëpi luksoze me vlerë 100 milionë dollarë në Bel-Air të Kalifornisë, përfshirë ish-rezidencën e Gene Wilder, legjendarit Willy Wonka. Shtëpitë kishin pishina, fusha tenisi, punishte vere dhe salla vallëzimi.
Por në vitin 2020, Musk njoftoi në Twitter se do të shiste “pothuajse gjithçka që zotëron” dhe nuk do të zotëronte më një shtëpi, duke deklaruar: “Unë jam i përkushtuar ndaj Marsit dhe Tokës, pasuritë materiale të rëndojnë”.
Kushti i tij i vetëm ishte që rezidenca e Wilder nuk duhet ta humbasë shpirtin e saj. Ai ia shiti atë nipit të aktorit, Jordan Walker-Perlman, por në qershor 2025 e rimorri atë pasi ky i fundit nuk arriti ta shlyente kredinë.
Që atëherë, Musk ka deklaruar se nuk ka vendbanim të përhershëm dhe jeton kudo që të strehohet. m.p.
