Princesha e Uellsit Kate Middleton do të publikojë dokumentarin e saj të parë të titulluar “Heal” (Shërimi), i cili do të shfaqet premierë në BBC më 29 nëntor.
Sipas BBC, në këtë dokumentar Kate shfaqet në një rrëfim thellësisht personal rreth betejës së saj me kancerin dhe mënyrës se si sëmundja i ndryshoi jetën dhe perceptimin e saj për botën.
“Kanceri të ndryshon. Ndryshon trupin tënd, të ndryshon fizikisht, por ekziston edhe një dimension shumë më i thellë i asaj që ndryshon brenda teje pas diagnozës”, thotë Princesha e Uellsit, e cila ndan përvojën e saj, duke diskutuar ndikimin e sëmundjes.
“Është e qartë se nuk jemi të destinuar të përballemi me vështirësitë e jetës vetëm”, dëgjohet të thotë ajo në trailerin e dokumentarit, ndërsa shfaqen imazhe të pacientëve që luftojnë me kancerin, si dhe pamje të saj duke përqafuar anëtarët e familjes së saj, përfshirë Princin Ëilliam.
Në mars të vitit 2024, ajo njoftoi se po luftonte me sëmundjen dhe po i nënshtrohej kimioterapisë. Ndërsa në janar të vitit 2025, ajo njoftoi se kanceri po zhdukej dalëngadalë dhe në muajt në vijim filloi të kthehej gradualisht në detyrat e saj mbretërore.
Që atëherë, princesha ka përmendur disa herë mënyrën se si e percepton ajo tashmë jetën.
Kate ka folur gjithashtu për ditët e mira dhe të vështira që pasuan trajtimin e saj, duke kërkuar të hedhë poshtë idenë se një pacient mund të kthehet menjëherë në gjendjen dhe rutinën e përditshme që kishte para sëmundjes.
Kate Middleton rrëfen për herë të parë betejën me kancerin në dokumentarin e ri, mesazhi prekës i princeshës
Dokumentari i cili do të prezantohet nga Kirsty Young, pritet të jetë dokumentari më gjithëpërfshirës dhe personal i udhëtimit të Kate Middleton deri më sot./ET
