Last Updated on 05/06/2026 by Kesjana
Miliarderi amerikan Elon Musk ka ndezur sërish debatet në rrjetet sociale, pasi publikoi një trailer të krijuar me Inteligjencë Artificiale për “Iliadën”, poemën epike të Homerit që rrëfen Luftën e Trojës. Videoja është realizuar me modelin e ri të gjenerimit të videove Grok Imagine 1.5, të zhvilluar nga kompania e Musk, xAI.
Në postimin e tij, Musk vlerësoi aftësitë e teknologjisë së re dhe la të kuptohet se në të ardhmen mund të realizohet edhe një film i plotë i bazuar në “Iliadën”.
Publikimi i trailerit vjen në një moment kur Musk është përfshirë në polemika lidhur me filmin e ri të regjisorit Christopher Nolan, “The Odyssey”, i bazuar në një tjetër vepër të Homerit. Musk ka kritikuar vazhdimisht zgjedhjet e kastit të filmit, veçanërisht përfshirjen e aktores Lupita Nyong’o në rolin e Helenës së Trojës.
Debati është zgjeruar edhe në Greqi, ku disa kritikë kanë shprehur pakënaqësi për mungesën e aktorëve grekë në një film që bazohet në mitologjinë dhe letërsinë klasike greke.
Filmi The Odyssey, me protagonist Matt Damon në rolin e Odiseut, pritet të dalë në kinema më 17 korrik 2026 dhe konsiderohet një nga prodhimet më të shumëpritura të vitit. /kb
Iliad (Troy) trailer made by Grok Imagine 1.5, which was just released pic.twitter.com/o0zITVlvpn
— Elon Musk (@elonmusk) June 4, 2026
