Last Updated on 30/07/2026 by Monika
Vera e vitit 2026 po rezulton një nga më të rëndat për zjarret në vendet mesdhetare të Bashkimit Evropian. Sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), deri më 22 korrik janë djegur pothuajse 370 mijë hektarë pyje në Spanjë, Francë, Itali dhe Greqi, rreth 70% më shumë se mesatarja e viteve 2006-2025, e cila ishte më pak se 220 mijë hektarë në vit. Me sezonin veror ende në vazhdim, ekspertët paralajmërojnë se bilanci mund të rëndohet edhe më shumë.
Sipas specialistëve, rritja e zjarreve lidhet me dy faktorë kryesorë: ndryshimet klimatike dhe aktivitetin njerëzor. Ngrohja globale ka ulur reshjet gjatë verës dhe ka shkaktuar thatësira të gjata në gjithë pellgun e Mesdheut, duke tharë bimësinë dhe duke e bërë atë shumë më të ndezshme. Një studim i publikuar në Earth System Science Data tregon se probabiliteti i zjarreve është dyfishuar në Greqi, trefishuar në Kanada dhe është rritur 20 herë në Amazonë. Përveç shkatërrimit të pyjeve, këto zjarre lëshojnë çdo vit 5-8 miliardë tonë dioksid karboni, ndërsa ndotja nga tymi shkakton mbi 1,5 milionë vdekje në vit në Afrikë dhe Azi.
Italia konsiderohet një nga zonat më të prekura nga ndryshimet klimatike. Që prej vitit 2024, sezoni zyrtar i zjarreve është zgjatur nga 15 qershori deri më 15 tetor. Ekspertët kanë vënë re gjithashtu një ndryshim të shpërndarjes së zjarreve, me më shumë vatra në Alpe gjatë verës dhe në rajonet qendrore e jugore gjatë dimrit. Braktisja e tokave bujqësore dhe rritja e pakontrolluar e bimësisë kanë krijuar sasi të mëdha materiali të ndezshëm, duke rritur rrezikun sidomos në zonat bregdetare.
Megjithatë, faktori kryesor mbetet njeriu. Rreth 96% e zjarreve shkaktohen nga veprimtaria njerëzore, për shkak të pakujdesisë në menaxhimin e mbetjeve, shkëndijave nga trenat dhe linjat elektrike, djegies së barishteve në bujqësi, por edhe nga veprime të përditshme si prushi i mbetur pas një barbekjuje apo përdorimi i fishekzjarrëve.
Një rast i veçantë është Sicilia, e cila megjithëse ka vetëm 3,5% të sipërfaqes pyjore të Italisë, përqendron një të katërtën e të gjithë sipërfaqes së djegur në vend. Sipas raportit të Komisionit Parlamentar Antimafia, zjarret përdoren në disa raste për të ulur vlerën e tokave bujqësore, të cilat më pas blihen me çmime të ulëta për projekte fotovoltaike ose për të përfituar subvencione evropiane. Problemit i shtohen edhe mirëmbajtja e dobët e territorit, mungesa e kontrollit dhe fakti që vetëm 60% e bashkive kanë përditësuar regjistrin e zonave të djegura.
Përballë kësaj situate, teknologjia po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm. Programi MEG, i zhvilluar nga Universiteti “Federico II” i Napolit, ndihmon hetuesit të përcaktojnë me saktësi pikën ku ka nisur zjarri, duke bërë të mundur gjetjen e provave si ADN-ja ose gjurmët e gishtërinjve. Ndërkohë, Karabinierët po trajnohen me simulime në realitet virtual, ndërsa dronët me energji diellore të përdorur në Kalabri mund të patrullojnë për 15 orë rresht dhe të zbulojnë vatra shumë të vogla zjarri. Sipas autoriteteve, përdorimi i tyre ka ndihmuar në uljen e zjarreve me 40% krahasuar me mesataren e 20 viteve të fundit dhe në identifikimin e 34 zjarrvënësve.
Ekspertët theksojnë se arma më e fortë mbetet parandalimi. Përdorimi i zjarreve të kontrolluara gjatë dimrit, kullotja e bagëtive për të kufizuar bimësinë dhe mirëmbajtja e vazhdueshme e territorit kanë dhënë rezultate pozitive në vende si Sardenja, Portugalia dhe Spanja. Ata propozojnë gjithashtu zëvendësimin gradual të pyjeve me pisha dhe bredha, të cilat digjen lehtë, me specie vendase më rezistente ndaj zjarrit, si lisat dhe shqopa, si edhe një koordinim më të madh mes institucioneve përgjegjëse. Sipas tyre, lufta kundër zjarreve nuk fitohet vetëm duke i shuar ato, por mbi të gjitha duke investuar në parandalim, teknologji dhe menaxhim të vazhdueshëm të territorit gjatë gjithë vitit.
