Dibra do ju kujtojë dhe do t’u jetë përjetësisht mirënjohës
Nga Hysen Uka

Emri i Fatos Nanos për Dibrën dhe dibranët do të mbetet përjetësisht në kujtesë, si figura kyçe qeverisëse, si një vizionar që kuptoi i pari rëndësinë e një nisme qytetare, duke e kthyer atë në një projekt kombëtar të infrastrukturës rrugore. Qeverisja e Fatos Nanos është e lidhur ngusht me fazën/at e para të këtij projekti madhor, tashmë një realitet, i shndërruar në një arterie jetike për lidhjen e Tiranës, Durrësit me Dibrën dhe më tej me Maqedoninë e Veriut.
Ishte Fatos Nano i pari që i kushtoi vëmendje dhe trajtoi seriozisht kërkesën e banorëve të Dibrës, duke e konsideruar ndërtimin e rrugës së Arbrit, një projekt me rëndësi strategjike kombëtare. Qeveria Nano qe para që ndau fondet e nevojshme për studimin e fizibilitetit, duke hedhur kështu bazat teknike për projektin e rrugës së Arbrit. (Pikërisht këtë vëmendje që na kushtoi qeveria Nano 20 vite më parë, po kërkojmë prej 6 vitesh ne dibranët për hapjen e Luginës së Drinit të Zi, duke lidhur rrugën e Arbrit me aeroportin e Kukësit dhe rrugën e Kombit, përmes një projekti po aq të rëndësishëm, ndërtimin e rrugës Lidhja e Prizrenit. Dhe për këtë, gjithmonë është i domosdoshmë një burrështetas vizionar si Fatos Nano).
Qeveria Nano futi për herë të parë në dokumentat zyrtare të zhvillimit të infrastrukturës rrugore të Shqipërisë, rrugën e Arbrit si prioritet strategjik. Vet Fatos Nanon në qershor 2005 mori pjesë në ceremoninë e nisjes së punimeve për ndërtimin e rrugës, duke shënuar kështu një moment historik për Dibrën e më gjërë. Nano kish kuptuar i pari se ky projekt nuk ishte thjeshtë një rrugë ndërqytetase vetëm për të çliruar Dibrën nga izolimi, por ishte një koridor i ri ekonomik që do të lidhte rajonet Tiranën – Durrës me Tetovën, Gostivarin, Kërçovën dhe forcimin e lidhjeve ndërshqiptare në rajon.
Duhej një vizionar si Fatos Nano, që me fuqinë e mendjes së tij, logjikën e tij ekonomike, të depërtonte shtresëzimet opake të krijuara nga qeveritë e mëparshme mediookre, për të parë këtë projekt si një zgjidhje epokale e strategjike, si aks alternativë e plotësues të Korridorit të 8-të. Vendimet e Fatos Nanos për rrugën e Arbrit nuk ishin thjeshtë vendime teknike por një akt politik me vizion për zhvillimin rajonal dhe bashkimin e shqiptarëve përtej kufijve.
Janë të pakta ato projekte të infrastrukturës që mbartin ngarkesa aq të mëdha emocionale, strategjike dhe kombëtare, sa mbart Rruga e Arbrit, projekt i cili përmban në vetvete vizionin, lidershipin dhe nënshkrimin e një burrshtetasi si Fatos Nano. Ishte Fatos Nano, i cili në vitet 2000 dëgjoi dhe i kushtoi vemendje thirrjes së shoqatës “Nisma Dibrane”, dhe të mbarë popullsisë së rajoneve lindore, kapi rëndësin jetike të këtij projekti dhe thërrmoi e dërrmoi të gjithë skeptikët me vendimet e tij. E si mund ta harrojmë ne këtë, si mund ta harrojë Dibra Fatos Nanon. Emri i Fatos Nanos do të rrojë sa të rrojë rruga e Arbrit, do të jetë në krye të pavionit të historisë së zhvillimit e të përparimit të dy Dibrave, të historisë së integrimit e të bashkimit të shqiptarëve. Ai nuk vuri thjesht themelin e një rruge, ai vuri gurin e themelit të një epoke të re zhvillimi e përparimi për Dibrën, ndaj Dibra do ta kujtojë e nderojë përjetsishte me mirënjohje.
Për këtë, unanimisht gjithë anëtarësia e Shoqatës “Nisma Dibrane”, mbarë komuniteti dibran, kudo gjendet, propozojmë që në Fushë Bulqizë, në vendin ku Fatos Nano, me 25 qershor 2005, inaguroi fillimin e punimeve të rrugës së Arbrit, aty të vendoset një Pllakatë apo një Gur i stilizuar me skicë-portretin e Fatos Nanos dhe elemente tjera që shënojnë këtë akt historik të kryeministrit. Ne u kërkojmë të gjitha bashkive që përshkonë Rruga e Arbrit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrisë së Kulturës, të gjitha Shoqatave të Dibrës e Tiranës dhe kudo në Shqipëri e diasporë. Të na mbështetjen në këtë Nisëm. Është më e pakta që mund të bëjmë në nderim të kontributit të Fatos Nanos.
Prehu në paqe, i paharruari përjetë Fatos Nano.

