Një 51-vjeçare u gjet e shtrirë në dysheme në apartamentin e saj, me një plagë në pjesën e pasme të kokës dhe pranë saj një shishe qelqi të thyer. Plaga mund të jetë rezultat i një rënie aksidentale, ndoshta pas një sëmundjeje të papritur, por nuk përjashtohet edhe mundësia e një shtytjeje gjatë një grindjeje. Hetuesit po shqyrtojnë të gjitha pistat.
Dyert e apartamentit ishin të mbyllura, por sipas hetuesve mund të hapeshin lehtësisht nëse nuk ishin kyçur siç duhet. Nuk janë gjetur shenja vjedhjeje, as prova që dera të ketë qenë e siguruar pas hyrjes ose daljes së fundit të gruas.
Përveç partnerit 21-vjeçar, i cili e gjeti trupin së bashku me një fqinj, në dosjen e denoncimeve të viktimës figuron edhe një burrë tjetër më i moshuar, të cilin ajo e kishte raportuar për ndjekje. Ky person, megjithëse nuk lidhet drejtpërdrejt me vendin e ngjarjes, mbetet në sfond të hetimeve.
Autopsia, e cila do të kryhet në fillim të javës, pritet të përcaktojë nëse vdekja ka ardhur nga një sëmundje e papritur apo nga një akt dhune. Vetëm pas këtij akti do të qartësohet drejtimi i mëtejshëm i hetimeve.
Para apartamentit, i bllokuar nga policia, sot u vendosën lule dhe një shënim: “Për të dashurën Nunzia, lutemi për ty.”
Prifti i zonës, Don Pasquale Fioretti, tha se gruaja ishte e rezervuar dhe shpesh e vetmuar, por herë pas here ndalonte në kishë. Ai e kishte parë për herë të fundit të premten e kaluar dhe sipas tij, “Dukej mirë dhe u përshëndetëm.”/MXH
