Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij amerikan, Donald Trump, gjatë së cilës kanë diskutuar marrëdhëniet dypalëshe, si dhe zhvillimet e fundit në rajon dhe në arenën ndërkombëtare.
Gjatë bisedës, Erdogan shprehu bindjen se bashkëpunimi mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara do të vijojë të forcohet dhe se të dyja vendet do të punojnë për të përshpejtuar zhvillimin e marrëdhënieve në periudhën e ardhshme.
Një nga çështjet kryesore të diskutimit ishte tensioni mes SHBA-së dhe Iranit. Presidenti turk theksoi se përplasjet mes dy vendeve duhet të marrin fund dhe mosmarrëveshjet të zgjidhen përmes diplomacisë. Ai nënvizoi se Turqia do të vijojë përpjekjet për të kontribuar në vendosjen e paqes.
Erdogan foli gjithashtu për luftën mes Ukrainës dhe Rusisë, duke shprehur shpresën se intensifikimi i përpjekjeve diplomatike do të sjellë rezultate pozitive dhe do të ndihmojë në përfundimin e konfliktit. Ai theksoi se Ankaraja do të vazhdojë të kontribuojë në këto përpjekje dhe se është e rëndësishme të shtohen kontaktet me të dyja palët, si me Kievin, ashtu edhe me Moskën.
Në përfundim të bisedës, presidenti turk falënderoi Trump për mbështetjen e tij ndaj Samitit të Organizatës së Shteteve Turke./mxh
