Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, deklaroi se Turqia do të vijojë të mbështesë fqinjët e saj dhe përpjekjet për vendosjen e paqes në rajon, pavarësisht kundërshtimeve dhe paralajmërimeve.
Në një deklaratë pas mbledhjes së kabinetit qeveritar, Erdogan tha se Ankaraja nuk do të braktisë miqtë dhe aleatët që kanë vendosur besimin tek Turqia.
“Ne nuk do të braktisim asnjë mik apo vëlla në gjysmë të rrugës, kur ata kanë vendosur besimin tek ne. Vetëm sepse disa njerëz nuk e duan këtë, sepse disa janë të shqetësuar apo sepse planet e disa të tjerëve po prishen, ne nuk do të heqim dorë nga përpjekjet për vendosjen e paqes në rajonin tonë”, u shpreh Erdogan.
Presidenti turk shtoi se Ankaraja do të vazhdojë të mbështesë fqinjët e saj në rimëkëmbjen e tyre, pavarësisht kundërshtimit nga grupet që ai i cilësoi si “rrjete kriminale me duart të lyera me gjakun e të pafajshmëve”.
Deklaratat e Erdogan vijnë pas përshkallëzimit të tensioneve mes Turqisë dhe Izraelit lidhur me zhvillimet në Siri.
Javën e kaluar, Izraeli kreu sulme ajrore ndaj një baze ushtarake siriane, ndërsa paralajmëroi Ankaranë kundër asaj që e cilësoi si “aventura të rrezikshme” në Siri.
Tensionet mes dy vendeve janë rritur ndjeshëm, ndërsa ushtritë turke dhe izraelite janë aktive në territorin sirian. Izraeli ka shprehur shqetësimin se Siria mund të lejojë vendosjen e trupave turke në territorin e saj.
Ankaraja i ka hedhur poshtë me vendosmëri këto pretendime, duke i cilësuar si “të papranueshme”, ndërsa Erdogan sinjalizoi se Turqia do të vijojë politikën e saj në rajon dhe mbështetjen për fqinjët, pavarësisht presionit ndërkombëtar./MXH
