Grupi terrorist i Hamasit ka shprehur gatishmërinë për t’ia dorëzuar armët e tij në Rripin e Gazës një autoriteti palestinez që qeveris territorin, me kusht që kontrolli ushtarak i ushtrisë izraelite mbi territoret palestineze të marrë fund.
“Armët tona janë të lidhura me ekzistencën e pushtimit dhe agresionit”, thotë në një deklaratë kryenegociatori i Hamasit dhe kreu i saj në Gaza, Khalil al-Hayya, duke shtuar: “Nëse pushtimi përfundon, këto armë do të vendosen nën autoritetin e shtetit.” I pyetur nga AFP, zyra e Hayyas thotë se ai po i referohej një shteti palestinez sovran dhe të pavarur.
“Ne pranojmë vendosjen e forcave të OKB-së si një forcë ndarëse, e ngarkuar me monitorimin e kufijve dhe sigurimin e pajtueshmërisë me armëpushimin në Gaza”, shton Hayya, duke sinjalizuar refuzimin e grupit të tij terrorist për vendosjen e një force ndërkombëtare në Rrip, misioni i së cilës do të ishte çarmatosja e tij.
Në të kaluarën, Hayya ka thënë se një zgjidhje me dy shtete do të ishte vetëm e përkohshme dhe se palestinezët ruajnë “të drejtën e tyre historike mbi të gjitha tokat palestineze”. Kryeministri Benjamin Netanyahu dhe qeveria e tij janë kundër krijimit të një shteti palestinez në tokat e pushtuara nga Izraeli gjatë Luftës Gjashtëditore në qershor të vitit 1967. m.p.
