Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka deklaruar sot, 17 qershor, se marrëveshja mes SHBA-ve dhe Iranit për t’i dhënë fund luftës mund të nënshkruhet shumë shpejt, të enjten ose të premten.
Gjatë një konference për shtyp në kuadër të samitit të G7 në Francë, Trump tha se e mbështet këtë marrëveshje sepse nuk dëshiron që lufta në Lindjen e Mesme të vazhdojë dhe të shkaktojë probleme të mëdha për ekonominë botërore. Sipas tij, vazhdimi i konfliktit mund të sillte rritje të mëtejshme të çmimeve të naftës, probleme me furnizimet dhe vështirësi ekonomike për shumë vende.
Presidenti amerikan nuk do që të përsëritet një krizë e madhe ekonomike si ajo e vitit 1929 në SHBA, kur ekonomia amerikane pësoi një goditje të rëndë dhe miliona njerëz u prekën.
Ekspertët thonë se një marrëveshje paqeje mes SHBA-ve dhe Iranit do të ishte pozitive për ekonominë, por paralajmërojnë se nëse marrëveshja dështon dhe lufta rifillon, pasojat mund të jenë të mëdha.
Rikthimi i tregtisë dhe transportit në normalitet mund të kërkojë kohë.
Trump zbuloi se SHBA-të i kanë dërguar Izraelit një kopje të marrëveshjes me Iranin. Ai u shpreh se ka marrëdhënie të mira me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, por kritikoi veprimet e Izraelit kundër Hezbollahut në Liban, duke thënë se Izraeli “mund të bënte më mirë”. Pranoi se ai dhe kryeministri izraelit kanë pasur disa mosmarrëveshje për mënyrën se si po trajtohet situata në Liban, ku një ndërprerje e armiqësive është një nga kërkesat kryesore të Iranit.
“Netanyahu është një njeri i mirë, por ndonjëherë emocionohet paksa shumë”, u shpreh Trump para gazetarëve.
Ai shtoi: Kemi një mosmarrëveshje të vogël për Libanin. Unë i them: mund të përdorësh një qasje pak më të butë, Bibi. Nuk ke pse të shembësh një ndërtesë sa herë që dikush hyn aty dhe është nga Hezbollahu.
Nënvizoi se është dakord me përshkrimin e Izraelit si “partneri i vogël” i Shteteve të Bashkuara, duke nënvizuar marrëdhënien e pabarabartë mes dy vendeve në aspektin e fuqisë dhe ndikimit.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë falënderoi presidentin kinez Xi Jinping dhe presidentin rus Vladimir Putin për atë që ai e quajti “neutralitet” gjatë luftës me Iranin. Sipas tij, të dy liderët nuk u përfshinë në konflikt dhe se kjo ndihmoi që situata të mos përkeqësohej.
“Dua vetëm t’i falënderoj, sepse ata e bënë situatën shumë më të mirë”, u shpreh Trump, duke theksuar se Kina dhe Rusia kishin mbajtur një qëndrim neutral gjatë përplasjes./mxh
