Trashëgimia shqiptare dhe kujtesa historike e Kosovës kanë qenë në qendër të prezantimit të stilistit Etnik Shala në Paris Fashion Week. Dizajneri nga Kosova ka prezantuar koleksionin e tij më të ri, të titulluar “ARKA”, përmes të cilit ka përcjellë një mesazh mbi identitetin, traditën dhe historitë që ruhen brez pas brezi.
Përtej krijimeve të paraqitura në pasarelë, vëmendjen e tërhoqi edhe zgjedhja e veçantë e stilistit për t’u shfaqur me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), një simbol që mbart kujtime të forta për popullin shqiptar.
Në një prononcim për Prive KlanKosova, Shala shpjegoi domethënien personale dhe historike të këtij veprimi. Ai tregoi se dëshironte të sillte në një prej skenave më të rëndësishme të modës botërore një element që lidhet drejtpërdrejt me përvojën e Kosovës gjatë luftës së fundit.
Sipas stilistit, uniforma përfaqëson gjithashtu kujtesën e shumë familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre në luftë. Për disa prej tyre, ajo mbetet një nga kujtimet e pakta materiale që ruajnë nga dëshmorët.
Përmes koleksionit “ARKA” dhe paraqitjes së tij në Paris, Etnik Shala ka ndërthurur kështu modën me historinë, duke i dhënë hapësirë një rrëfimi që shkon përtej estetikës së veshjeve.
Paris Fashion Week nuk është e vetmja skenë ndërkombëtare ku stilisti ka prezantuar punën e tij. Shala ka marrë pjesë edhe në aktivitete të tjera jashtë vendit, ku ka siguruar vlerësime dhe çmime për krijimet e tij./mxh
