Eva Mendes ka tërhequr sërish vëmendjen e fansave me një detaj shumë personal, që duket se lidhet drejtpërdrejt me partnerin e saj prej vitesh, aktorin Ryan Gosling.
Aktorja 52-vjeçare publikoi së fundmi disa fotografi në Instagram, ku në njërën prej tyre shfaqej e ulur në një makinë, ndërsa ngrinte dorën dhe tregonte tatuazhin në pjesën e brendshme të kyçit të dorës. Tatuazhi shkruan “de Gosling”, një detaj që prej kohësh ka nxitur spekulime për marrëdhënien e çiftit.
Pas një komenti nga një ndjekës, i cili i kushtoi vëmendje tatuazhit, Mendes sqaroi se ai ka një domethënie të veçantë për të.
“Është i vetmi që kam, i vetmi që kam dashur ndonjëherë”, shkroi ajo në koment.
Shprehja “de Gosling” ka bërë që fansat të mendojnë se tatuazhi mund të jetë një referencë për një lidhje martesore. Në kulturën latine, përdorimi i “de” mund të shërbejë për të lidhur mbiemrin e një gruaje me atë të bashkëshortit pas martesës, ndaj shumë ndjekës e kanë interpretuar tatuazhin si një lloj “Mrs. Gosling”.
Mendes e kishte shfaqur për herë të parë tatuazhin publikisht në vitin 2022. Po atë vit, gjatë një interviste televizive, ajo iu referua Gosling si “bashkëshorti im”, duke shtuar edhe më shumë misterin rreth statusit të tyre.
Eva Mendes dhe Ryan Gosling u njohën në vitin 2011, gjatë xhirimeve të filmit “The Place Beyond the Pines”, dhe prej atëherë kanë ndërtuar një nga marrëdhëniet më të rezervuara në Hollywood.
Çifti ka dy vajza, Esmeralda, 11 vjeç, dhe Amanda, 10 vjeç. Pavarësisht se kanë zgjedhur ta mbajnë jetën private larg vëmendjes së mediave, Mendes herë pas here ndan me fansat momente të vogla nga familja e tyre.
Së fundmi, familjes iu bashkua edhe një anëtar i ri, qeni Charlie. “Prezantimi i Charlie-t, anëtarit më të ri të familjes sonë. Jemi të dashuruar!”, shkroi Mendes në rrjetet sociale.
Edhe pse të dy kanë angazhime të shumta profesionale, Mendes ka treguar se ajo dhe Gosling kujdesen të kalojnë kohë së bashku dhe përpiqen të organizojnë rregullisht dalje në çift.
“Ne përpiqemi ta mbajmë gjallë këtë”, ka treguar ajo, duke zbuluar se të dy pëlqejnë filmat dhe daljet në kinema./mxh
