“Evropa duhet të ndërmarrë hapa urgjentë për të përmirësuar mbrojtjen e saj dhe për ta bërë NATO-n më evropiane për të ruajtur forcën e saj, sepse SHBA-të e kanë tronditur marrëdhënien transatlantike deri në themel”, paralajmëroi shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
“SHBA-ja do të vazhdojë të jetë partnere dhe aleate e Evropës”, tha Kaja Kallas në një konferencë për mbrojtjen, “por asnjë fuqi e madhe nuk “ia ka dhënë ndonjëherë mbijetesën e saj dikujt tjetër dhe ka mbijetuar”.
Tensionet me SHBA-në u përshkallëzuan kur Presidenti Donald Trump kërcënoi të merrte Groenlandën, një territor gjysmë-autonom danez.
Komentet e Kallas erdhën pasi udhëheqësi i NATO-s, Mark Rutte, shkaktoi reagime të ashpra kur tha se ligjvënësit evropianë duhet të “vazhdojnë të ëndërrojnë” nëse mendojnë se Evropa mund të mbrohet pa SHBA-në.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Nowl Barrot, reagoi ndaj komenteve të sekretarit të përgjithshëm të martën duke thënë: “Jo, i dashur Mark Rutte. Evropianët mund dhe duhet të marrin kontrollin e sigurisë së tyre. Edhe Shtetet e Bashkuara janë dakord. Është shtylla evropiane e NATO-s.”
Kaja Kallas tha se nën administratën Trump, Evropa “nuk ishte më qendra kryesore e gravitetit të Uashingtonit” dhe se kontinenti duhej të ndryshonte kulturën nga të menduarit si kombe, drejt veprimit të përbashkët si evropianë.
Tranzicioni i Uashingtonit larg Evropës “ka vazhduar për një kohë”, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, duke shtuar se ishte strukturor, jo i përkohshëm.
23 vendet që ishin anëtare si të BE-së ashtu edhe të NATO-s kishin një përgjegjësi të veçantë për të “sinkronizuar përpjekjet tona, së bashku me NATO-n”. Ashtu si Barrot, ajo theksoi rëndësinë e të treguarit se si një “shtyllë e dallueshme evropiane” do të shtonte vlerë.
Përçarja e fundit SHBA-Evropë për shkak të Groenlandës ka nxjerrë në pah “ndryshimin tektonik” në marrëdhënien që Kallas përmendi në fjalimin e saj, me Trump që kërcënoi të vendoste tarifa për disa nga aleatët e tij më të ngushtë evropianë pasi ata kundërshtuan planet e tij për të marrë përsipër ishullin Arktik.
Mark Rutte u vlerësua javën e kaluar për qetësimin e tensioneve midis Trump dhe udhëheqësve evropianë, kur presidenti amerikan hoqi dorë nga kërcënimi i tij gjatë bisedimeve me shefin e NATO-s në periferi të Davosit. Trump tha se po shqyrtonte një marrëveshje të mundshme për Groenlandën, megjithëse ende nuk janë zbuluar detaje.
Vitin e kaluar, nën presionin e Trump, vendet anëtare të NATO-s premtuan të rrisnin shpenzimet e tyre të përgjithshme në 5% të PBB-së deri në vitin 2035, megjithëse një pjesë e kësaj shume mund të shkonte drejt infrastrukturës kombëtare.
Rutte i tha Parlamentit Europian të hënën se nëse Europa donte vërtet të “vazhdonte e vetme” në mbrojtje, do të duhej të shpenzonte 10% të prodhimit ekonomik (PBB) dhe të krijonte kapacitetin e vet bërthamor.
Një largim nga SHBA-ja, sipas Rutte-s, do të “humbte garantuesin përfundimtar të lirisë sonë, që është ombrella bërthamore e SHBA-së”.
Duke iu drejtuar të njëjtës konferencë në Bruksel me Kaja Kallas, Komisioneri i Mbrojtjes i BE-së, Andrius Kubilius, tha të mërkurën se SHBA-të tani presin që evropianët të marrin përgjegjësinë për mbrojtjen e tyre, pasi amerikanët do të “zvogëlojnë praninë e tyre në kontinent”.
Evropa ishte “një gjigant, por një gjigant në gjumë” që duhej të zgjohej. “Ne duhet ta ndërtojmë shumë shpejt pavarësinë tonë. Pavarësi në mbrojtje: pa vonesa dhe pa justifikime”, shtoi ai.
Qëllimi kryesor i NATO-s, kur u themelua në Uashington në vitin 1949, ishte të siguronte sigurinë dhe lirinë e anëtarëve të saj përballë një Bashkimi Sovjetik armiqësor – një perandori komuniste e dominuar nga Rusia që u shemb në vitin 1991.
Presidenti rus Vladimir Putin e ka akuzuar prej kohësh NATO-n për zgjerim drejt lindjes, duke krijuar një kërcënim sigurie për Moskën, dhe e ka cilësuar pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 si një përgjigje ndaj kësaj.
Megjithatë, një shtet rus gjithnjë e më luftarak ka nxitur dy anëtarë të tjerë të BE-së – Suedinë dhe Finlandën – t’i bashkohen aleancës së NATO-s që nga pushtimi në shkallë të plotë.
Kremlini ka kërkuar që, sipas një marrëveshjeje të ardhshme paqeje, Ukrainës t’i ndalohet anëtarësimi në NATO.
Edhe pse është pjesë e kushtetutës së Ukrainës të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe NATO, shanset që Kievi të bëhet anëtar i NATO-s së shpejti konsiderohen të pakta./mxh
