Liderët evropianë shprehën solidaritet me popullin e Ukrainas, në përvjetorin e katërt të nisjes së pushtimit rus të vitit 2022, duke premtuar se do të vazhdojnë mbështetjen për Kievin deri në arritjen e paqes.
Në mesazhe të publikuara në rrjetin social X, shumë prej tyre theksuan angazhimin për të qëndruar në krah të Ukrainës përballë agresionit të Rusias.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, u zotua se Ukraina nuk do të tradhtojë sakrificat e bëra nga populli i saj gjatë katër viteve të luftës vetëm për të arritur një marrëveshje paqeje me Rusinë. Deklarata e tij vjen në një kohë kur ndarjet mes aleatëve kryesorë të Kievit kanë zbehur ceremonitë përkujtimore.
Vendet evropiane kishin shpresuar të miratonin një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë, si dhe një hua prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën. Por Hungaria, e cila mban lidhje të ngushta me Moskën, e bllokoi të hënën (23 shkurt) miratimin e të dyja nismave.
Zelenskyy pritej të mirëpriste në Kiev personalitete nga Evropa Perëndimore, përfshirë presidenten e Komisioni Evropiant, Ursula von der Leyen, për ceremonitë që shënojnë katër vjet nga nisja e pushtimit të plotë rus më 24 shkurt 2022. Megjithatë, ndryshe nga vitet e mëparshme, nuk pritej pjesëmarrja e liderëve të mëdhenj perëndimorë.
Qindra mijëra ushtarë nga të dyja palët janë vrarë ose plagosur në konfliktin më të përgjakshëm në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Forcat ruse kanë vrarë gjithashtu dhjetëra mijëra civilë ukrainas dhe kanë shkatërruar qytete të tëra përmes sulmeve të vazhdueshme me raketa dhe dronë./MXH
