Vetëm në dy ditë, janë mbytur tre fëmijë në bregdetin shqiptar, duke përmendur rastet në Tale dhe Durrës.
Sekretarja e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Vrojtuesve të Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë, Eni Metaj, e ftuar në emisionin “Rudina”, në Tv Klan, ka dhënë disa këshilla që duhen marrë parasysh për sigurinë e secilit.
Metaj sqaron se Federata e Vrojtuesve të Plazhit ka më shumë rol edukues dhe se institucionet vendore kanë peshë të madhe në menaxhimin e këtyre plazheve publike.
“Plazhet private operohen dhe menaxhohen nga subjekti privat. Plazhet publike, kur menaxhohen nga njësitë vendore, kanë përgjegjësi të ofrojnë kushtet e higjienës, sigurisë, çadra, shezlonge, tualete dhe ndoshta ajo më e rëndësishmja, vrojtuesit e plazhit dhe sinjalistikën për ta bërë më të lehtë.
Mua më duhet të them që sot instruktorët tanë kanë qenë kudo nëpër media dhe ne kemi një rol edukues dhe certifikues. Përtej kësaj, unë siç e përmenda, janë të tjera institucione të cilat duhet të menaxhojnë, duhet të bëjnë një punë më të mirë në pjesën e sigurisë. Pastaj, sa i përket përgjegjësisë… unë mendoj se po (mund të shmangen), një reagim i shpejtë, dikush të japë ndihmën e parë, një sinjalistikë që këtu ndalohet notimi, mund të shmangë këto raste fatale”, tha Metaj.
Më tej, Metaj sqaron se sektori privat ka ndërmarrë më shumë hapa për sigurinë e pushuesve krahasuar me atë publik, edhe pse ky i fundit ka një rritje të frekuentimit, por me më shumë pasiguri.
“Jemi në një situatë që kërkon shumë bashkëpunim. Plazhet publike janë pa vrojtues plazhi, pa sinjalistikë në pjesën më të madhe të tyre, kështu që do t’i ftoja ta merrnin sigurinë sa më shumë seriozisht, e të mos ishin këto lajme në kronikat e zeza.
Numrat që kemi janë të mirë. Ne kemi trajnuar rreth 2 mijë e 100 vrojtues plazhi, por e kemi të vështirë ta masim në terren sa janë të punësuar dhe që qëndrojnë në stacionet e tyre të plazhit. Më duhet të them se sektori privat ka një mbulim shumë herë më të mirë sesa ai publik. Kryesisht në resorte të mëdha, në plazhet që janë edhe më të frekuentuara. Sigurisht kemi problemin e mungesës së vrojtuesve edhe në plazhe private, por ajo që vihet re më shumë në këtë sezon është frekuentimi më i madh i plazheve publike, njëkohësisht edhe mungesa e sigurisë në plazhet publike”, tha ajo./mxh
