Last Updated on 15/11/2025 by EL
Kultivues, grumbullues dhe përpunues të ullirit në të gjithë vendin paralajmërojnë ulje të sasisë së ullinjve dhe vajit të ullirit këtë sezon.
Kodrat e Kurjanit në Roskovec janë 90% të mbjella me ullinj, kulturë kjo që siguron të ardhurat kryesore për fermerët. Ky vit ka sjellë prodhim të ulët për shkak të dëmtimeve gjatë lulëzimit nga i ftohti dhe mungesa e reshjeve.
Astrit Abedinaj, kultivues i ullinjve tha se “kam 700 rrënjë ullinj. Vitin e kaluar prodhova 230 kuintalë, këtë sezon nuk do arrij as gjysmën. Edhe pse përdor plehra organike, moti i keq bëri të vetën. Kërkojmë ndihmë nga ekspertët për shërbime dhe maksimizimin e prodhimit për vitin tjetër.”
“Rënia e prodhimit do të dëmtojë rëndë ekonominë e familjes, pasi nuk kam burime të tjera të ardhurash”, shprehet Namik Sefedini, fermer.
Cakrani, zona më e madhe administrative e Fierit dhe ka rreth 600,000 rrënjë ullinj. Në vitin 2024, prodhimi shkoi ne 50 mijë kuintalë, por për vitin 2025 pritet disa here me pak.
Kujtim Xhelili, pronar fabrike dhe grumbullues shprehet se “kam përpunuar rreth 1,500 kuintal ullinj deri tani. Një rrënjë ka dhënë mesatarisht 20 kg ullinj, krahasuar me 70 kg vitin e kaluar. Vaji po shitet minimalisht me 800 lek per litër.
“Prodhimi është më i dobët për shkak të faktorëve klimatike. Vjelja është në 20% për të siguruar të ardhurat jetike”, tha fermeri.
Nga Kurjani i Roskovecit deri në Cakran të Fierit, ulliri këtë vit është me gjysmë rendimenti, duke vënë në vështirësi fermerët dhe familjet që varen vetëm nga kjo kulturë.
Zona kodrinore e Lushnjes duke nisur nga Thanasaj e deri ne kodrat e ujëmledhësit të Thanës ka të kultivuar rreth 500 mijë rrënjë ullinj.
Fermerët e kësaj zonë prej disa ditësh kanë filluar vjeljen dhe përpunimin për vajin e ri. Prodhimi i ullirit, krahasuar me vitin e kaluar ka një rënie në masën 40 deri në 50% sipas zonave por cilësia e vajit është më e lartë.
Rënia e prodhimit i penalizon kultivuesit e ullirit pasi kostoja është e larte.
Afrim Matjani fermer: Kam 800 rënjë ullinj. Kushtet atmosferike të motit bëjnë punën e vet, thatësira, të gjithë ato. Po vaji është cilësor për mendimin tim me një fjalë se nuk ka ngarkesë.Pra është me cilësi. Për momentin po ikën me shtatëqind lek për litër. Deri diku nuk jemi të kënaqur duhet të ishte pak më e lartë krahasim me shpenzimet që ka për kultivimin e ullinjve.
Aktualisht nje liter vaj ulliri direkt ne fabrike shitet me 700 lekë.
Shyqyri Koçi fermer: Ne kemi një javë që kemi filluar sezonin e vajit te ullirit. Prodhimi është shumë i pakët me vitin e kaluar dhe shumë familje mund të rrezikojnë të rrinë pa te ardhura. Vjet shkuam te 12 ton vaj sivjet parashikojmë te 4 ton vaj nuk ka më shumë shumë prodhim i dobët. Ka qenë shumë vere e nxehtë, ne e kemi pa vaditje. Për momentin po e shesim vajin me 700 lek per liter.
Për shkak të rënies së prodhimit, çmimi i vajit te ullirit mund të rritet në muajt në vazhdim.
Sokol Matjani: Prodhimi është më i dobët pritet 40% e prodhimit ndersa vjet ka pasur goxha prodhim tashi këta janë punët e natyrës. Aktualisht ka pak ngritje të çmimit ngaqë është prodhimi i dobët ka vajtur me 700 lek litri e domethënë mirë është kjo punë për fshatarësinë është mirë sa më i mirë të jetë çmim më mirë është po për momentin këtu shtatë shitet gjithandej këtu te ne.
Shefit Kuqi: Natyra bën ndikimin e vet domethënë ka mbajtur thatësirë shumë edhe shumë e dobët me plehrat, me kostat që kemi bërë ne tani jemi shumë të dobët për sivjet ka rediment shumë të ulët ulliri. Një litër vaji sivjet po shitet me 700 lek/litër.
Nje fenomen i shfaqur prej vitesh në sektorin e bujqësisë është mungesa e fuqisë punëtore per vjeljen e ullinjve.
Edhe pse zona e Bilçës dhe fshatrat përreth njihen për prodhimin masiv të ullirit në qarkun e Beratit, prej më shumë se dy vitesh prodhimi ka pësuar rënie të ndjeshme.
Çdo familje në zonë numëron deri në 500 rrënjë ullinj, por kushtet klimatike bëjnë që nga viti në vit shpresa për sigurimin e të ardhurave të venitet.
Ky sezon konsiderohet ndër më të dobëtit. Mungesa e të ardhurave po ul edhe shërbimet e domosdoshme ndaj parcelave të kultivuara me ullinj, ku tashmë nuk bëhet më fjalë për investime që lehtësojnë punën e fermerëve, të cilët kryesisht janë të moshuar pas emigrimit të të rinjve.
‘Kemi 300 rrënjë dhe nuk morëm asnjë kokërr ullinj, se nuk prodhuan, pleh i hodhëm. Plehrat janë me çmim të lartë’, tha një fermer.
‘Gjendja është e dobët këtë vit, çoi lule dhe nuk i mbajti, unë si kam vjel fare këtë vit. Shumë pak do marr”- tha një fermer.
Bilça numëron 270 mijë rrënjë ullinj, që deri tani kanë qenë e ardhura kryesore për banorët e zonës.
Ndryshe nga Berati apo Fieri, prodhimi i ullinjve është i bollshëm në Zadrimë të Lezhës
Në fshatrat Troshan dhe Fishtë, të njohura për kultivimin e kësaj kulture, fermerët kanë nisur vjeljen, por edhe këtu problem mbetet mungesa e fuqisë punëtore.
“Të rinjtë janë larguar ne emigrim dhe po hasin vështirësi të shumta për të siguruar krahun e punës”, thane fermerët.
Ndërkohë kërkesa mbetet e qëndrueshme dhe e lartë. Çmimi i ullirit varion nga 150 lekë deri në 200 lekë për kg, ndërsa çmimi i vajit shkon nga 800 deri në 1200 lekë për litër.
Përballë këtij prodhimi të bollshëm te ullirit dhe vajit, tregu vendas është i rrezikuar dhe duhet gjetur mekanizmat e nevojshëm për të eksportuar edhe jashtë vendit, thotë specialisti i bujqësisë, Preng Marku.
Sipërfaqet me ullinj në fshatrat e Lezhës po vijnë gjithnjë në rritje gjatë viteve të fundit, ku numërohen qindra hektarë tokë të mbjella me këtë kulturë.
Vaji i ullirit ka shkuar me 800-900 lek për litër në Elbasan. Shkak i rritjes se çmimi është prodhimi i pakët i ullinjve këtë sezon. Fermerët e Shushicës në Elbasan pranojnë se ky vit ka pasur më pak prodhim krahasuar edhe me një vit më parë.
Kushtet klimaterike në kohën e lulëzimit, por dhe ciklin biologjik i kulturës së ullirit kanë ndikuar në rënien e rendimentit. Megjithatë vaji është cilësor. Shqetësim për fermerët është edhe mungesa e fuqisë punëtore. Sipas tyre puna sezonale në bujqësi refuzohet, ndërsa tregu i shitjes nuk paraqet qëndrueshmëri.
Në fabrikat e prodhimit të vajit të ullirit ka nisur tashmë puna, ndërsa vetë administratorët e tyre e cilësojnë cilësinë e vajit të lartë. Çmimi i shumicës është 100 lek më shumë se vitin e kaluar.
Elbasani në rang qarku prodhon mesatarisht 117mijë ton ullinj në vit.
Vlora, një ndër zonat më të njohura për prodhimin e vajit të ullirit po has vështirësi për gjetjen e tregut edhe pse çmimi është 800 lek për litër. Sa i përket prodhimit, ai s’ka qenë i bollshëm këtë vit.
Edhe në Vlorë ka nisur vjelja e ullirit dhe prodhimi i vajit. Fermerët e Novoselës kultivojnë disa varietete, ndërsa pranojnë se ky vit ka pasur më pak prodhim krahasuar edhe me një vit më parë. Megjithatë për ta ajo që vlen është cilësia e vajit.
‘Sivjet nuk ka pasur shumë, po atë që ka, e ka cilësor, cilësia e vajit është shumë e mirë këtë vit’, tha një fermerë.
Adhurim Lazaj, specialist i Qendrës së Transferimit të Kulturave Bujqsore, thekson se janë disa shkaqet që kanë ndikuar në prodhimin e pakët të disa varieteteve .
“Kanë ndikuar nga kushtet e motit, por edhe sëmundjet që kanë prekur ullirin këtë vit”, tha ai.
Në fabrikat e prodhimit të vajit të ullirit ka nisur tashmë puna, ndërsa vetë administratorët e tyre e cilësojnë cilësinë e vajit të lartë. Aktualisht po shitet me 800 lek për litër.
Durim Ogici dhe Naxhi Llanaj theksojnë se puna ka nisur, ndërsa kjo është edhe periudha më e mirë për prodhim, në bazë edhe të varieteteve të kultivuara.
Sipas INSTAT, një vit më parë në mbarë vendin u prodhuan mbi 157 mijë ton ullinj.
Megjithatë të gjithë thonë se konsumatorët do të kenë vaj ulliri më cilësor se vitet e shkuara, shpresa e fundit e kultivuesve dhe përpunuesve që të dalin të fituar nga sezoni sfidues i vjeljes së ullinjve. /e.t
